Aktuale

Ymeri: Trupi i kontestuar gjykues nuk ka të drejtë të marrë asnjë vendim

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka kundërshtuar arrestimin e serishëm të deputetëve të partisë së tij, duke thënë se këto arrestime janë të paligjshme, pasi trupi i kontestuar gjykues nuk ka të drejtë të marrë asnjë vendim.

Postimi i Ymerit në Facebook:

Burgosja e sërishme e Albinit dhe Donikës për shkak se dolën për t’ua uruar qytetarëve fitoren, është përndjekje.

Dhe prapë nga një trup gjykues i cili është i kontestuar. Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës asnjëherë nuk iu është përgjigjur kërkesës së katër deputetëve, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Albin Kurti dhe Faton Topalli, për ta zëvendësuar këtë trup gjykues të drejtuar nga Beqir Kalludra, duke e kontestuar kapacitetin e tij për të qenë i paanshëm në këtë rast. I njëjti gjykatës i ka dënuar katër aktivistë të Lëvizjes me 21 vjet e gjysëm burg pa kurrfarë baze në një vendim skandaloz gjyqësor.

Rrjedhimisht edhe burgosja e së premtes edhe kjo që ndodhi sot janë të paligjshme, sepse trupi i kontestuar gjykues nuk ka të drejtë të marrë asnjë vendim përderisa nuk trajtohet çështja e kontestimit. E si mundet të shqiptojë drejtësi një gjykatës që merr vendime jashtëligjshëm?

Liri për deputetët.

Liri për aktivistët.

Drejtësi për Astritin.