Aktuale

Ymeri thotë se Mustafa shfaqet vetëm kur bëhet fjalë për dëmtimin e shtetit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka reaguar ndaj kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili mbrëmë ka akuzuar VV-në se mund të ndikoj në prishjen e marrëdhënieve me Malin e Zi, duke iu referuar ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin me këtë shtet.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Ymeri ka shkruar se kryeministri Mustafa nuk mori guxim të flas për ushtrinë e vendit që po bllokohet nga partnerët e Listës Serbe, ndërsa sa herë bëhet fjalë për dëmtimin e shtetit, ai nuk mungon.

Sipas Ymerit, versioni aktual i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi duhet të luftohet me cdo kusht dhe se ai kufi nuk do të jetë asnjëherë i pranueshëm për qytetarët e vendit.

Lexoni postimin e plotë të Ymerit në Facebook si kundërpërgjigje ndaj Mustafës:

Isa Mustafa, si një aparatçik i dëshmuar që është, qenka aktivizuar sërish. Sigurisht, nuk ka marrë mundin të flasë për ushtrinë e vendit që po e bllokojnë partnerët e tij të koalicionit në Listën Serbe, as për projektin kolonizues të Serbisë “Lugina e Diellit” që po vazhdon. Kudo e kurdo që duhet mbrojtur shtetin Isa mungon. Kudo e kurdo që dëmtohet shteti e Republika Isa prinë.

Isa, që i thotë vetes kryeministër, po pret nga qytetarët t’ia tregojnë kufirin. T’ia dëshmojnë atë me tapi. Por lumenjtë nuk janë pronë private, pastaj rruga e asfaltuar deri aty është shtruar nga buxheti publik yni. Pse paskemi shpenzuar para tonat që t’i shtrojmë rrugët e Malit të Zi?

Tek ne kanë ardhur qytetarët Isë, dhe na kanë treguar ku është kufiri, kanë folur edhe ekspertë nga partia jote të cilët s’ke kurajo t’i dëgjosh.

Verzionin aktual të marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi do ta luftojmë me çdo kusht. Ai kufi nuk do të jetë asnjëherë i pranueshëm për qytetarët e vendit. Këtë bën mirë ta dijë Isa Mustafa dhe miqtë e tij Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Këta që kërcënimet ndaj qytetarëve (herë me NATO e herë me liberalizim të vizave), e nënshtrimin e plotë ndaj kujtdo tjetër, i kanë bërë modus të rregullt të politikbërjes.