Aktuale

Ymeri: Regjimi po bie e Lëvizja po rritet

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, derisa ka akuzuar Qeverinë se po sundon me metoda policore dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin për kërcënimin që iu bëri deputetëve të Vetëvendosjes, ka paralajmëruar se do të vazhdojnë me punë për ta futur në Kushtetutë, luftën e UÇK-së.

Ymeri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Qeveria është shndërruar në një regjim që sundon me metoda policore sepse si e tillë ka keqtrajtuar dhe arrestuar aktivistë e LVV, që sipas tyre ata akuzohen për terrorizëm pa asnjë dëshmi.

Ai e akuzoi edhe kryeparlamentarin Kadri Veselin si një kërcënues i hapur për deputetët e kësaj lëvizje.

 

“Regjimi më saktësisht Kadri Veseli, i kërcënoi hapur deputet e Lëvizjes Vetëvendosje me jetë, me fjalimin e famshëm të tij për vetëvrasje, nuk pati as një tërheqje e as një pendesë nga ai për këtë fjalë…Këto sjellje të regjimit ‘Pronto’ e tregojnë panikun në të cilin gjenet ai, ky panik rrjedh nga dy faktor kryesor, njëra ata po bien e ne po rritemi dhe këto lëvizje, pra regjimi teposhtë e ne përpjetë, natyrisht që do të takohemi, ky është takimi…Llogaria nga regjimi asnjëherë nuk u dha sepse ishin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, ata që më shumë terrorizuan qytetarët e Kosovës, me lloj lloj mashtrimesh, kërcënimesh e shantazhe vetëm e vetëm për të jetësuar këto dy akte tradhtie ndaj republikës dhe interesit të përgjithshëm dhe sot pas deskriditimit dhe delegjitimimit të plot të tyre nuk e thonë asnjë fjalë”, tha Ymeri.

Ymeri foli edhe për rëndësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,duke thënë se subjekti i tij do ta vazhdojnë punën për futjen e luftës çlirimtare në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sepse kështu mbrohet vlera dhe luftohet antivlera.

 

“UÇK-ja e dëshmorëve krijoj vlerë…sakrifica e tyre solli liri…sot regjimi këtë vlerë e sheh si vlerë këmbimi, në këmbim të pasurimit vetanak, në këmbim të amnistimit vetanak, në këmbim të kapitalit simbolik po ashtu dhe gjithherë vetanak…Propozuam, në Kuvend dhe do ta vazhdojmë punën për ta futur luftën çlirimtare të Kosovës në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kështu edhe mbrohet vlera por edhe luftohet antivlera”, tha Ymeri.

Kurse, për Trepçën, Ymeri tha se qeveritarët e kanë përmbysur tërësisht rendin e gjërave duke bërë një hap të madh drejt privatizimit të Trepçës. Ai shtoi se nuk do ta lejojnë ta shesin dhe as ta falin Trepçën

 

“Ligji për Trepçën nuk përqendrohet te nevoja e rivitalizimit dhe përqendrimit të Trepçës, duke investuar kapacitetet tona publike në të por përqendrohet te hapja e rrugës për investime private të cilat mbas studimit të fizibilitetit e rivitalizojnë Trepçën, por kjo i hap rrugë privatizimit të Trepçës… Trepçën nuk do ta lejojmë ta shesim, as ta falim”, theksoi Ymeri.

Ndërsa, kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Hydajet Hyseni tha se shumë prej aktivistëve po mungojnë për shkak  të pamundësive të krijuara nga rrethanat politike  për të qenë të angazhuar këtu.

 

‘’Në këtë mbledhje siç ka ndodhur edhe më përpara, kemi një pjesë të aktivistëve që mungojnë…sepse janë pamundësuar të jenë pjesë e angazhimit të përbashkët dhe kjo ka një domethënie të veçantë, thonë kur luftëtarët e lirisë, luftëtarët për ligj e funksionim demokratik janë në burg dhe kundërshtarët e lirisë të ligjit dhe të demokracisë janë jashtë, e shpesh në vendimmarrje, është shenjë e keqe për shoqërinë dhe për proceset”, tha Hyseni.

Për subjektin e tij politik, Visar Ymeri tha se Lëvizja Vetëvendosje po rritet dhe ka shumë gjasa të jetë subjekti i parë politik./kp