Kryetari i Lëvizjes vetëvendosje, Visar Ymeri, pak minuta para nisjes së seancës në Kuvend e Kosovës, ka vënë një shënim në faqen e tij në Facebook, përmes së cilës jep vërejtjet e tij për projektligjin për Trepçën.
“Projektligji për Trepçën i propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës ka një mori problemesh. Si i tillë ai duhet ndryshuar. Përndryshe nuk e shpëton Trepçën”, shkruan Ymeri.
Sipas tij, me ligjin e propozuar dhe hartuar nga Qeveria, Trepça nuk bëhet e Republikës së Kosovës por vendoset, siç thuhet aty, në pronësi të Qeverisë, ndërkohë që 20% të aksioneve në pronësi të punëtorëve. I pari i VV-së thotë se me këtë skenarë del se Qeveria na tregon se synim ka privatizimin e gjigandit Trepça.
“Ligj për Trepçën gjithsesi se duhet. Në asnjë mënyrë nuk bën ta lëmë Trepçën nën kërcënimin për likuidim ku e kanë vendosur po këto institucione me ligjin e kaluar për Ndërmarrjet e veçanta. Por ky Ligj për Trepçën që do ta bënte atë të Republikës së Kosovës dhe në funksion të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit tonë, duhet domosdoshmërisht ta transformojë Trepçën në ndërmarrje publike të veçantë, e cila do ta gëzonte këtë status të veçantisë karshi prioriteteve të investimeve publike për rimëkëmbje e rritje të prodhimit e të punësimit, dhe vendimet për të cilën domosdoshmërisht do të merreshin me shumicë të kualifikuar të votave të deputetëve (dy të tretat e Kuvendit). Ndryshe nuk po e shpëtojmë Trepçën. Ose po e shpëtojmë nga likuidimi për ta shthurë e shpërbërë vet”, shkruan Ymeri në facebook. /KosovaPress/