Aktuale

Ymeri: Prijmë bindshum në Prishtinë dhe jemi në balotazh në dhjetë komuna

Lëvizja Vetëvendosje sipas kryetarit të këtij subjekti, Visar Ymeri, prinë bindshëm në këto zgjedhje në Prishtinë dhe në dhjetë komuna është në balotazh.

Sipas tij, kanë hyrë në balotazh në Gjilan, në Prizren, në Dardanë, në Kaçanik dhe në Besianë.

“LVV sot prin bindshëm në Prishtinë dhe do të jetë grupi më i madh i asamblistëve në kuvendin komunal në komunën e Prishtinës dhe gjithnjë e më afër po duket që LVV në komunën e Prishtinës të fitoi pa balotazh, ndërkohë që po ashtu jemi në garë për të fituar në rreth 10 komuna të Kosovës, ku kemi hyrë në balotazh, prej të cilave tashmë është e sigurt se do të fitojmë Gjilan, në Prizren, në Dardanë, në Kaçanik dhe në Besianë, pra në të gjitha këto komuna LVV është në balotazh”, theksoi Ymeri.

Ai tha se po presin në ndërkohë edhe rezultatet zyrtare, ku pritet që LVV të hyjë në balotazh edhe në disa komuna tjera. Sipas tij, në secilën komunë ka shënuar rritje të votave dhe rritje të numrit të asamblistëve, si dhe për kryetarë komunash. Ymeri duke folur për shpalljen e fitoreve nga dy subjekte, PDK dhe LDK, tha se këto dy parti janë tkurrur dhe LVV është në rritje.

“Ky proces zgjedhor e dëshmon edhe një herë se këto dy subjekte që e konsiderojnë vetën të mëdha janë duke u tkurrur vazhdimisht, ndërkohë që LVV ka shënuar një rritje shumë të madhe gjatë këtij procesi zgjedhor krahasuar me vitin 2013 dhe në shumfishim të komunave me të cilat do të qeverisë në nivel lokal. Nga një në vitin 2013 në dhjetë sosh në vitin 2017”, tha Ymeri.

Nënkryetari LVV, Glauk Konjufca tha se po presin ende rezultat për Prishtinën , dhe nuk kanë menduar ende të shkojnë në koalicion në balotazh nëse shkohet.

“Jemi duke pritur numërimin e të gjitha vendvotimeve për të konfirmuar nëse Prishtina do të fitohet pa balotazh, kurse sa i përket të gjitha atyre negociatave që do të vijnë se me cilin subjekt do të hyjmë në koalicion, kjo do të vijë pas konfirmimit të rezultateve nga KQZ-ja, kur ne të marrim rezultatin e saktë edhe për numër të asamblistëve dhe të shohim se secili subjekt sa asamblistë i ka dhe natyrisht për të formuar një shumicë në kuvendin komunal të Prishtinës në mënyrë që LVV mos të ketë kokëçarje në mungesën e shumicës siç ishte në mandatin e kaluar”, theksoi Konjufca.

Zyrtarë të këtij subjekti thonë se përkundër disa parregullsive në procesin zgjedhor, LVV e vlerëson në përgjithësi këtë proces si të rregullt dhe ka vajtur mirë deri tash në kohën numërimit të votave nëpër vendvotime. /kp/