Kryetarit të Lëvizjes Vetëendosje i bjen përgjegjësia për këtë betejë elektorale, nga nominimi i kandidatit për kryeministër, tek lista e deputetëve dhe dizajnimi i fushatës zgjedhore. Përgjegjësia është e imja”
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës, ka thënë se përgjegjësia për humbjen eventuale në zgjedhjet e 11 qershorit i bie atij, si drejtues i partisë.
“Kryetarit të Lëvizjes Vetëendosje i bjen përgjegjësia për këtë betejë elektorale, nga nominimi i kandidatit për kryeministër, tek lista e deputetëve dhe dizajnimi i fushatës zgjedhore. Përgjegjësia është e imja. I jepet organeve të Vetëvendosjes, e pastaj anëtarësisë, që më ka zgjedhur”.
Ai ka deklaruar se fitorja e Vetëvendosjes është fitore e popullit, ndërsa nuk ka përjashtuar një koalicion të mundshëm paszgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Kur fiton Lëvizja Vetëvendosje fiton jo vetëm ajo, por fiton Republika, fiton populli i Kosovës. Sepse partitë e tjera e kanë dëshmuar se nuk e kanë as dëshirën, as aftësinë për të punuar për të mirën e vendit”.
“Vetëvendosja ka vijë të trashë të kuqe që i vendoset fillimisht krimit dhe korrupsionit dhe së dyti të gjithë atyre që nuk kanë punuar në të mirë të vendit. LDK-ja si subjekt, brenda vetes, ka një grup njerëzish që më shumë janë me të vërtetën dhe interesin e vendit, sesa me kryetarin e partisë”.
“Mundësi bashkëpunimi do të ketë shumë, sepse Vetëvendosja duke qenë e vetmja parti që rritet secilën palë zgjedhje është strumbullar rreth të cilit grumbullohen njerëz që duan të punojnë për të mirën e vendit”.