Lëvizja Vetëvendosje konsideron se kërkesës së qytetarëve të Kosovës për ndryshim në zgjedhjet e 11 qershorit po i përgjigjet negativisht koalicioni PAN.
Kështu ka deklaruar kreu i kësaj partie, Visar Ymeri në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm, ku shtoi se PAN pavarësisht votës së qytetarëve insiston të mbajë pushtetin e kapur përmes pushtetit të uzurpuar, duke potencuar se shumica e qytetarëve kanë votuar kundër vazhdimit të pushtetit të keq.
“Kërkesës së popullit për ndryshim rrënjësor, koalicioni PAN përgjithësisht po i përgjigjet negativisht. Ata vazhdojnë e avazin e vjetër, duan ta mirëmbajnë kapjen e shtetit, po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit duke e bojkotuar seancën konstituive. Pavarësisht votës së qytetarëve ata insistojnë ta mbajnë shtetin e kapur përmes pushtetit të uzurpuar. Shumica dërrmuese e qytetarëve kanë votuar kundër vazhdimit të pushtetit të keq, cungues territori e të drejtash, zhvatës të parasë e pasurisë, privatizues ndërmarrjesh e institucionesh publike. Sa më herët që ta kuptojmë këtë të gjithë aq më mirë do të jetë për Republikën e Kosovës, për popullin e Kosovës dhe të gjithë ne”, tha ai.
Ymeri tha se 22 tetori do të konfirmojë atë që ka ndodhur në zgjedhjet e 11 qershorit, do të konfirmojnë që Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt që ka rritje të qëndrueshme dhe të ardhme.
“Më 22 gusht do të dorëzohen të gjitha listat për asambletë komunale dhe lista e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar komunash. Lëvizja Vetëvendosje ka dalur më 11 qershor subjekt i parë në 10 komuna të Republikës së Kosovës, kundrejt dy koalicioneve të 11 qershorit dhe prin në gjashtë të tjera kundrejt partive të tjera të Republikës së Kosovës. Zgjedhjet e 22 tetorit do ta konfirmojnë 11 qershorin, do ta konfirmojnë se Lëvizja Vetëvendosje është jo vetëm subjekti më i madh politik në vend, por edhe i vetmi që ka rritje të qëndrueshme dhe të ardhme të sigurt, të tjerat siç u pa më 11 qershor si do të shihet edhe më shumë më 22 tetor janë në rënie dhe do të bien”, tha ai.
Me këtë rast, Ymeri kërkojë nga delegatët që në qendrat e Vetëvendosjes të mobilizohen për një fitore bindëse të radhës, duke thënë se kandidojnë me kandidatët më të përgatitur.
Sipas Ymerit, ndryshimi në nivelin qendror nuk është i plot pa ndryshimin edhe në nivel lokal./kp