Aktuale

Ymeri: Nëna Terezë na bën krenarë por edhe na detyron të shikojmë si ajo

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri i cili po merr pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan ka shprehur se pas kësaj ceremonie Tereza na bën krenarë por edhe na detyron të shikojmë si ajo, shkruan Gazeta Express.

“Nëna Tereze u shenjtërua sot. Ajo personifikon dashurinë, përkushtimin, vetëmohimin e sakrificën; të gjitha këto në funksion të ndihmës ndaj të varfërve, të nëpërkëmburve, atyre që bota i harron, që nuk i sheh. Nëna jonë jo që nuk i harroi, por jetoi me ta. Dhe kështu i bëri te dukshëm, i ktheu në botë.

E ne na bën krenar. Por edhe na detyron të shikojmë sikur ajo. Jeta e saj është mësim, që të pazëshmit i bën me zë, të uriturit me bukë, të nëpërkëmburit me dinjitet, të shkelurit me vullnet për të luftuar për barazi. Ishte nder të marrim pjesë në Ceremoninë e shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës.” shkruan Ymeri.