Aktuale

Ymeri: Garojmë të vetëm, LDK s’ishte e interesuar ta largoj klanin Pronto

Lëvizja Vetëvendosje përfundimisht do të garojë e vetme në zgjedhjet e 11 qershorit. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri tha se në këto zgjedhje e vetmja alternativë për të ndryshuar gjendjen në vend është partia që ai udhëheq.

Madje, kreu i VV-së, zgjedhjet e 11 qershorit i quajti me të rëndësishmet pasi janë referendum kundër krimit, korrupsionit, ‘Zajednicës’ dhe demarkacionit.

Derisa, koalicionin PDK-AAK-Nisma e ka quajtur koalicion të natës i bërë nga paniku.

“Tanimë siç e dini afati për koalicione ka përfunduar dhe Lëvizja Vetëvendosje është duke i bërë përgatitjet e duhura që në këto zgjedhje të garoj e vetme. Pakica nominale në Kuvend, i cili e rrëzoi Qeverinë para një jave, është dëshmuar që ka pasur të drejtë, edhe ‘Zajednica’ edhe Demarkacioni ishin gabim. Nuk u zvogëlua as papunësia dhe ikën 150 mijë veta sikurse nën okupim nga Kosova gjatë kësaj qeverisje. Nuk u luftua krimi e as korrupsioni institucional. Programi i VV-së dhe konsistenca politike e qëndrimeve dhe veprimeve na bëjnë ne subjektin me të besuar për transformimin e politikës, në luftim të krimit e progres shoqëror”, tha Ymeri.

Mosbashkëpunimi i Vetëvendosjes me LDK-në, Ymeri tha se ndodhi pasi partia e Isa Mustafës, nuk ishte e interesuar ta largojë Kadri Veselin dhe klanin Pronto nga pushteti, por vetëm që të mos sulmohen me njëri tjetrin.

“Po ta kishin hallin te largimi i klanit Pronto dhe Kadri Veselit natyrisht që do të kishte pasur mundësi për bashkëpunim dhe marrëveshje. Por ata as nuk ishin të interesuar ta diskutonin këtë, ishin të interesuar që të diskutojnë që të mos sulmohemi me njëri tjetrin. Që nënkupton që ishin me shumë të interesuar të diskutojnë se si të ruhet LDK-ja se si të shpëtohet Kosova. Dhe në këtë drejtim bashkëpunim në kushte të tilla nuk mund të ketë”, theksoi Ymeri.

Kreu i VV-së ka thënë se ata tashmë e kanë kandidatin për kryeministër i cili i ka të gjitha atributet për ndryshimin e vendit, e ai është Albin Kurti.

Ndërsa, Glauk Konjufca tha se është urgjente nevoja për ndryshim në zgjedhjet e 11 qershorit. Derisa, sipas tij e vetmja gjë që LDK la ishte Hashim Thaçi president.

“Pra, populli i Kosovës është para një situate të qartë. Në njërën anë kemi PDk0në që është përgjegjëse për problemet që kanë ndodhur prej pavarësisë. E kemi LDK-në e cila e ka djegur shpresën e popullit të Kosovës për shkak të ambicieve për pushtet. LDK e ka treguar një gjë, rehatohet shpejt nëse i jep pushtet dhe ka mbetur vetëm VV e cila nuk është dorëzuar asnjëherë. Pra, PDK-në e kemi parë që është një qeverisje e krimit dhe korrupsionit. LDK prej krejt arritjeve të prekshme vetëm iku, por ajo që na la ishte Hashim Thaçi president, ky është i vetmi rezultat i prekshëm është Thaçi president”, tha Konjufca.

I pyetur për bashkimin e AAK-së dhe Nismës me PDK-në, tha se janë të lumtur që kanë pasur atë bashkëpunim, pasi për kohën ka qenë i domosdoshëm meqë kanë rezultuar me ndaljen e dy marrëveshjeve të dëmshme, atë për Demarkacionin dhe ‘Zajednicën’. /KP