Aktuale

Ymeri: Është mirë që Demarkacioni nuk u ringjall

Pas dështimit të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës për procedimin e projektligjit për demarkacion, drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se për mungesë të guximit dhe gatishmërisë kjo Qeveri po zmbrapset në vazhdimësi.

Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri në një konferencë për media ka thënë se këto zmbrapsje të vazhdueshme tregojnë qartë se edhe Qeveria është në dijeni që kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën.

“Sot e pamë edhe një zmbrapsje të Qeverisë së Kosovës, të kryeministrit të Kosovës, karshi marrëveshjes për Demarkacionin. Pra, edhe njëherë Qeveria nuk pati as guxim, as gatishmëri që këtë marrëveshje ta sjellë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kjo flet edhe për Qeverinë edhe për marrëveshjen. Andaj, këto zmbrapsje të vazhdueshme tregojnë qartë që edhe Qeveria në vete e di që kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën. Edhe e di që ratifikimi i saj do ta dëmtonte shumë Republikën e Kosovës dhe në këtë drejtim nuk po ka guxim që ta ndërmarrë një hap të tillë. Është shumë mirë që kjo marrëveshje nuk u ringjall edhe sot, përkundër tentimeve të vazhdueshme të Qeverisë që ta ringjallë këtë marrëveshje të vdekur. Dhe është shumë mirë për Kosovën që marrëveshja për Demarkacion në asnjë mënyrë të mos bëhet realitet institucional dhe të ratifikohet në kuvend”, tha Ymeri.

Ftohja e marrëdhënieve ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, sipas Ymerit tregon vetëm interesin për karrigen e kryeministrit, dhe jo interesin e Kosovës.

“Ditëve të fundit është parë një lloj gare, një lloj lufte në mes të dy partnerëve të koalicionit qeverisës, në mes dy kryetarëve të këtyre dy subjekteve, Isa Mustafës dhe Kadri Veselit. Luftë, e cila tregon vetëm një gjë, se ata në kokën e tyre kanë vetëm kolltukun, vetëm karriget e tyre dhe secili prej tyre po i ndërmarrin ata hapa që ata mendojnë se do ta sigurojnë qoftë mbetjen në pozitën e kryeministrit për Isa Mustafën, qoftë mundësinë për me ardhë në pozitën e kryeministrit, Kadri Veseli”, tha ai.

Sipas Ymerit ‘Qeveria Mustafa’ është e domosdoshme të rrëzohet të mërkurën, duke shkarkuar kështu siç tha ai edhe klanin ‘Pronto’. Me këtë, ai tha se Qeveria po e kërcënon Kosovën me demarkacion.

“Është e domosdoshme që të mërkurën kjo Qeveri të bie dhe tash me këtë urgjencë shtesë po bëhet edhe më e rëndësishme që kjo Qeveri të bie. Pra, Qeveria po e kërcënon Kosovën me Demarkacion, ndërkohë që Kuvendi do të duhej që ta shkarkonte këtë Qeveri dhe në këtë mënyrë ta shkarkojë keqqeverisjen, duke shkarkuar të gjitha ato dështime që kanë ndodhur deri tash. Pra, edhe ta shkarkojë këtë lidhje të fort të Klanit ‘Pronto’ dhe uzurpimin e pasurisë publike dhe me këtë rast ta shpëtojë territorin e Kosovës dhe integritetin territorial”, theksoi Ymeri.

Kreu i VV-së nuk e përjashtoi mundësinë e rikthimit të gazit lotsjellës nëse procedohet demarkacioni në Kuvend në ditët e ardhshme.

Ymeri tha se do të protestojnë kundër ratifikimit të marrëveshjes, siç kanë bërë vazhdimisht dhe do t’i ndërmarrim të gjitha format protestuese në mënyrë që ta ndalin ratifikimin e kësaj marrëveshje. Sepse, sipas tij, ratifikimi i kësaj marrëveshje dhe zbatimi i saj jo vetëm që e cenon aktualisht territorin e Kosovës, jo vetëm që ia falë burimet më të rëndësishme të ujit në Rrafshin e Dukagjinit Malit të Zi, por edhe vendosjes si precedent jashtëzakonisht i rëndësishëm për çfarë do negociate në të ardhmen për demarkacion me Serbinë, e cila do të ishte shumë më e rëndë dhe më fatale për Kosovën.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të VV-së Glauk Konjufca duke falënderuar deputetët për këmbënguljen e tyre që kanë qenë kundër demarkacionit nga pozita e që sipas tij, janë rreth 15 prej tyre. Ai ka inkurajuar edhe deputetë të tjerë në pushtet që mos ta votojnë demarkacionin kur do që ndodhë në këtë version./kp