Lëvizja Vetëvendosje nuk i frikësohet rinumërimit të votave në Prishtinë. Kështu tha kryetari i kësaj partie Visar Ymeri. Sipas tij, edhe nëse shkohet në rinumërim Shpend Ahmeti do të dal fitues.
Lideri i Vetëvendosjes i ka bërë thirrje KQZ-së që të bëjë sa më shpejt numërimin e votave me kusht dhe ato me postë.
“Të dielën qytetarët kanë folur shumë qartë nëpër secilën komunë, përfshirë edhe në këto tri komuna ku Vetëvendosje ka dal e para me vota. Prej të dielës ne e kemi parë të flasin matrapazët dhe manipuluesit që deri dje kanë zhvatur me buxhetin e me pasurinë publike të Kosovës, e sot po tentojnë që të shpikin makinacione manipuluese për ta manipuluar këtë votë të qytetarëve. Është shumë e qartë që Vetëvendosje ka fituar në Prishtinë, ka fituar në Prizren dhe ka fituar në komunën e Kamenicës. Sipas votave tashmë qind për qind të numëruara dhe atyre që kanë mbetur si vota me kusht të cilat do të numërohen shumë shpejt, e për të cilën edhe unë sikur z. Sejdiu i bëj ftesë KQZ që sa më shpejt ta nis këtë proces dhe ta përfundoj këtë procesin e numërimit të votave me kusht”, tha Ymeri.
Sipas tij, i njëjti trend do të bartet edhe në votat me kusht sepse kjo sipas tij është e zakonshme për secilin proces zgjedhor.
Ndërsa, sa i përket asaj që Vetëvendosje ka bërë transportimin e personave deri në vendvotim, Ymeri thotë se është proces normal që e bëjnë të gjithë e jo veç partia që e drejton.
“Natyrisht që votuesit tanë ne i identifikojmë, në secilin proces zgjedhor i identifikojmë votuesit dhe këta votues të identifikuar dhe të kontaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje e pranojnë paraprakisht që do të thirren në ditën e zgjedhjeve në mënyrë që Lëvizja Vetëvendosje tu ofroj atyre çfarë do ndihme apo shërbimi që ata kanë nevojë për ta bërë votën e tyre. Këtë e kemi bërë edhe këtë të diel ku ju kemi ofruar transport për ata votues të cilët kanë pasur vështirësi transportin dhe arsyen e vetme pse kanë mundur të vendosin që të mos dalin për të votuar. Mendoj që kjo është edhe e zakonshme edhe nuk është një gjë që e bënë vetëm Vetëvendosje, e bëjnë të gjitha subjektet tjera politike në Republikën e Kosovës”, theksoi Ymeri.
Ai tha se kjo ndodh edhe në shtetet e tjera të botës, ndërkohë që përmendi rastin e kryeministrit të Kanadasë Justin Trudeau, i cili u kishte ofruar transport publik votuesve të Partisë Liberale gjatë zgjedhjeve në Kanada.
Ymeri tha se Vetëvendosje do të udhëheq me dy komunat më të mëdha në Kosovë, Prishtinën e Prizrenin, si dhe Kamenicën, e për këtë ai tha se 108 milionë euro buxhet të këtyre komunave tashmë do të jenë të lira nga keqpërdorimi, nga hajnia dhe nga korrupsioni, si dhe nga mënyra se si janë drejtuar këto komuna në përjashtim të Prishtinës.
Ndërsa, nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, tha se LDK dhe PDK kanë pasur marrëveshje të fshehur për kryeqytetin, ku ai përmendi një komunikim që ka dal në media në mes kryetarëve të degëve të PDK-së në Prishtinë.
“Ka ekzistuar një koalicion i fshehtë i cili është bërë publik me datën 19 nëntor, koalicion i fshehtë i cili është shpërfaqur në mënyrën më të egër të mundshme në Prishtinë. Pra, si duket interesat për të rikthyer gjendjen e para vitit 2013 ku PDK-LDK-AAK, mafia e ndërtimit dhe gjithë ajo katrahurë që ka ekzistuar në Prishtinë para vitit 2013 dhe normalisht edhe një buxhet prej 65 milion eurove dhe fuqia që vije me këtë buxhet të vazhdoj të keqpërdoret sikurse në vitin 2013. Pra, këto tashmë janë bërë të qarta. Unë e kam këtu mesazhin që u është dërguar dhe është publikuar nga ‘Insajderi’, por çuditërisht nuk është shpërndarë sa duhet. Është mesazhi i një zëvendësministri e që është sekretar i degës së PDK-së në Prishtinë, i kërkon nëndegëve që të angazhohen maksimalisht për rrëzimin e Shpend Ahmetit”, tha ai.
E këtë marrëveshje Sejdiu tha se e ka konfirmuar shefi i shtabit të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë një intervistë në një televizion, sipas Sejdiut Tahiri ka thënë se ‘po ka funksionuar, ka pasur një angazhim të madh të strukturave të PDK-së që e kanë mbështetur Arban Abrashin’.
Krejt në fund, Sejdiu tha se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë e përkushtuar të përmbysë rezultatin në Prishtinë, pasi që zëvendësministri i kësaj partie ka qenë në dijeni për numrin e votave me të cilat Shpend Ahmeti printe në Prishtinë, si dhe ka bërë thirrje që të bëhet maksimumi për ta rrëzuar atë.
Ndërkaq, ai pati përgjigje edhe për çështjen se LDK ka mbështetur Vetëvendosjen në Prizren, duke thënë se ishte Hatim Baxhaku që ka ndihmuar Mytaher Haskukën të zgjidhet kryetar i kësaj komune, e jo LDK-ja si subjekt.
Në balotazhin e 19 nëntorit Shpend Ahmeti ka dal fitues, kundrejt Arban Abrashit të LDK-së me një diferencë prej 237votave./KP/