Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee ka thënë se vendi i tij do të qëndrojë pranë Kosovës dhe do të bashkëpunojë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, për zhvillimin ekonomik të vendit dhe në të gjitha fushat e tjera.
Ai gjatë një takimi me shefin e diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, vlerësoi dinamikën dhe kreativitetin e diplomacisë kosovare në drejtim të njohjeve të reja, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, për të cilat SHBA do të vazhdojnë të ofrojnë asistencën e tyre.
Yee kërkoi që Kosova të përmbyllë çështjen e demarkacionit, si kapitull që mban peng liberalizimin e vizave dhe inkurajoi Kosovën që të vazhdojë në rrugën e reformave të gjithanshme.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, e njohu zyrtarin e lartë amerikan me idetë e tij për zgjidhjen e problemit të Trepçës, bashkimin e Mitrovicës, nëpërmjet shtrirjes së zonës së lirë ekonomike në gjithë territorin e kësaj komune, si zgjidhje që prodhon zhvillim ekonomik për atë zonë.
Në lidhje me Serbinë, ministri Pacolli tha se “kemi zgjedhur të mos i përgjigjemi provokimeve, që vijnë nga Serbia, duke shikuar më shumë nga e ardhmja, në respekt të plotë të sovranitetit tonë dhe nevojës për të përmbyllur përfundimisht këtë kapitull të historisë”.