Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilari, të martën në një konferencë për medie ka prezantuar “Raportin mbi rishikimin e institucioneve dhe agjencive të pavarura të kuvendit dhe organeve qendrore të qeverisë”.
Siç njofton kumtesa nga MAP, ministri Yagcilar ka thënë se, me mbështetjen e SIGMA-së, Ministria e Administratës Publike ka përgatitur një analizë cilësore mbi rishikimin e agjencive.
Duke theksuar rëndësinë e reformës së Administratës Publike, ministri ka shtuar se “reforma në administratën publike është një nga proceset kryesore në rrugëtimin tonë drejt BE-së, në veçanti agjendën për reforma evropiane. Ne, Qeveria e Republikës së Kosovës, mbetemi të përkushtuar në përmbushjen e obligimeve tona karshi kërkesave të BE-së, me të cilat synojmë të implementojmë standardet më të larta Evropiane”. “Qëllimi i kësaj konference me karakter informues, është sqarimi i gjendjes aktuale sa i përket themelimit, menaxhimit, llogaridhënies, raportimit, koordinimit, mbikëqyrjes, si dhe rregullimit të institucioneve dhe agjencive të pavarura në kuadër të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Duke u bazuar në të gjeturat e analizës së lartpërmendura, ministri Yagcilar, ka dhënë rekomandime dhe sugjerime sa i përket hapave të ardhshme që duhet ndërmarrë në ardhmen.
Më poshtë e keni fjalimin e plotë të Ministrit në konferencën e sotme për media
Të nderuar përfaqësues të medieve, të nderuar të pranishëm,
Qëllimi i kësaj konference është, prezantimi dokumentit mbi Rishikimin e Agjencive. Atëherë, duke ju falënderuar për pjesëmarrje, me lejoni që të bëjë një përmbledhje mbi rishikimin e agjencive i cili është përgatitur nga MAP në mbështetje të SIGMA.
Siç e dini, Reforma e Administratës Publike në Republikën e Kosovës, mbetet një nga proceset kyçe për agjendën evropiane në Kosovë.
Një varg dokumentesh të rëndësishme strategjike si, Strategjia Kombëtare për Zhvillim, Agjenda Evropiane për Reforma, Programi për Reforma Ekonomike dhe Plani për Zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e përcaktojnë Reformën e Administratës Publike, si e një rëndësie të veçantë për zhvillim kombëtar ekonomik e shoqëror, andaj adresimi i sfidave që ndërlidhen me reformat institucionale, fillon nga organizimi i mirëfilltë i administratës publike, e që synohet të arrihet, dhe avancohet, njëkohësisht përmes pakos legjislative, që aktualisht është në plotësim-ndryshim, përfshirë këtu edhe Ligjin për Organizim të Administratës Publike.
Hartimi i kësaj analize është synuar të ofrojë një vlerësim të detajuar të organizimit të administratës publike, respektivisht të institucioneve dhe agjencive të pavarura dhe atyre nën mbikëqyrjen e Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit.
Për më tepër kjo analizë, e cila ka rezultuar si obligim i Qeverisë së Kosovës nga Konkluzionet e Takimit të Grupit të Veçantë për Reformë të Analizës Publike mbajtur në qershor të vitit 2016 dhe Agjendës Evropiane të Kosovës, nevoja për një rishikim të tillë dhe për implementim të rekomandimeve të rishikimit është përsëritur edhe në raportin e vitit 2016 të Komisionit Evropian për Kosovën.
Ky rishikim ka identifikuar organet e pavarura që funksionojnë në kuadër të administratës publike në Kosovë, dhe pas rishikimit kuantitativ ku kanë rezultuar rreth 80 institucione të tilla, analiza e rishikimit cilësor ka vazhduar duke u bazuar edhe në elemente të tjera si legjislacioni me të cilin janë formuar, linjat e raportimit, numri i të punësuarve, marrëdhënia e punës dhe raportimi në mesin e variablave të tjera të rëndësishme.
Të gjeturat e kësaj analize synojnë të informojnë vendim-marrjen për hartim të ligjit për organizim të administratës publike si dhe përmirësimin e llogaridhënies dhe organizimit të administratës publike në Kosovë.
Siç edhe shihet në sllajde, janë listat e institucioneve/agjencive në kuadër të Kuvendit dhe atyre të Qeverisë, statistika për pagat dhe të punësuarit, krahasime të ndryshme si dhe informata të tjera.
Fillimisht do të dëshiroja të jap një analizë të situatës që i ka paraprirë realizimit të këtij studimi: Institucionet dhe agjencitë që funksionojnë në kuadër të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës janë themeluar ndër vite pa pasur një kornizë ligjore të qartë e cila do të vendoste disa rregulla dhe parime bazë të cilat do të aplikoheshin për të gjitha këto institucione dhe agjenci. Pra, siç shihet nuk ka rregulla kornizë sa i përket themelimit, organizimit, mbikëqyrjes, llogaridhënies, mandatit, qeverisjes dhe reformimit apo përfundimit të mandatit të institucioneve dhe agjencive të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Si pasojë e kësaj, të gjitha institucionet dhe agjencitë janë themeluar me ligje të veçanta dhe kështu është krijuar një numër i madh i institucioneve dhe agjencive.
Nga ana tjetër, nga ky rishikim, kemi gjetur se Ligji për Shërbimin Civil nuk aplikohet në disa institucione dhe agjenci të pavarura të Kuvendit derisa disa agjenci apo organe qendrore të Qeverisë nuk e aplikojnë ligjin në tërësinë e institucionit.
Në sllajdet në vijim, janë paraqitur të dhënat mbi zbatimin e shërbimit civil: sa i përket agjencive në kuadër të Kuvendit 5 prej tyre nuk aplikojnë Ligjin për Shërbimin Civil, 27 aplikojnë Ligjin për Shërbimin Civil, ndërsa 1 Agjenci e ka të paqartë statusin e punëtorëve.
Sa i përket agjencive në kuadër të Qeverisë, 36 prej tyre aplikojnë vetëm shërbimin civil, ndërsa 10 prej tyre, përveç Ligjit për Shërbim Civil, aplikojnë edhe tjetër legjislacion.
Sa i përket pagave, nuk ekziston parimi “pagë e njëjtë për punë të njejtë” ngase pozita të njëjta paguhen ndryshe në ministri dhe agjenci. Kemi vendime të shumta individuale të agjencive për shtesa në paga ( 58 akte të ndryshme të institucioneve të ndryshme), ndërsa janë deklaruar 150 lloje të ndryshme të shtesave mbi pagën bazë.
Sa i përket aplikimit të katalogut të vendeve të punës në shërbimin në institucionet dhe agjencitë e pavarura të Kuvendit, rreth 14 të tilla nuk e zbatojnë atë, një numër prej 15 janë në proces të përshtatjes dhe pjesërisht e zbatojnë katalogun derisa vetëm tri nga numri prej 32 e kanë zbatuar atë;
Institucionet dhe agjencitë e pavarura në kuadër të Kuvendit aplikojnë nivele të ndryshme të pagave të cilat nuk kanë një bazë të duhur ligjore;
Sa i përket llogaridhënies dhe raportimit, nuk ka linja të qarta të llogaridhënies në institucionet dhe agjencitë e pavarura dhe në disa organe qendrore apo agjenci në kuadër të Qeverisë. Disa institucione dhe agjenci të pavarura të Kuvendit nuk e kanë të definuar me ligj, raportimin në Kuvend, disa prej tyre raportojnë praktikisht në Kuvend, disa e dërgojnë raportin vetëm për njoftim derisa ka të tilla që e kanë të definuar raportimin por nuk raportojnë në Kuvend.
Ashtu siq shihen nga sllajdet në vijim, këto janë të dhënat sa i përket llogaridhënies, numri i agjencive dhe procedurat e raportimit.
Të gjeturat nga analiza janë:
• Mungesa e kornizës rregullatore funksionale: në mungesë të ligjeve dhe rregulloreve që përcaktojnë rregulla të qarta për themelimin, qeverisjen, mbikëqyrjen dhe shuarjen e agjencive, themelimi dhe menaxhimi i institucioneve dhe agjencive (gjysmë-) të pavarura ka ndodhur në mënyrë të veçantë sipas rastit. Shumimi i shpejtë i këtyre agjencive ka sjellë deri te një organizim i fragmentarizuar i administratës shtetërore, humbje të llogaridhënies dhe zvogëlim të efektivitetit në zbatimin e politikave publike të administratës;
• Mungesa e koordinimit dhe kontrollit të themelimit, menaxhimit dhe shuarjes së agjencive: koordinimi dhe kontrolli ministror dhe parlamentar i themelimit dhe funksionimit të institucioneve dhe agjencive (gjysmë-) të pavarura në Kosovë ka munguar, gjë që i ka kontribuar shumimit të këtyre trupave dhe mospërputhjeve në aranzhimet për rregullimin e tyre;
• Autoritetiti dhe përgjegjësia e Kuvendit: për të themeluar institucione dhe agjenci (gjysmë-) të pavarura në bazë të Nenit 142 të Kushtetutës, nuk janë në përputhje me praktikat e BE/OECD-së, të cilat kanë sjellë deri te krijimi i disa agjencive rregullatore dhe agjencive ekzekutive që i raportojnë Kuvendit. Kjo e zbeh parimin e ndarjes së pushteteve ndërmjet degëve legjislative dhe ekzekutive të pushtetit dhe nuk siguron kontroll adekuat të performancës së këtyre trupave;
• Mungesa e kapaciteteve për drejtimin dhe zbatimin e politikave nga niveli ministror dhe mbikëqyrjes parlamentare: qëllimet strategjike dhe objektivat e Qeverisë së Kosovës nuk janë të zbërthyera në mënyrë adekuate deri në nivelin e agjencisë; kontributi i institucioneve dhe agjencive të ndryshme në arritjen e qëllimeve strategjike dhe objektivave të Qeverisë së Kosovës është i kufizuar;
• Mospërputhja dhe rregullimi i dobët i aranzhimeve për udhëheqjen e agjencive: zgjedhja ndërmjet përdorimit të Bordeve dhe Drejtorëve (Ekzekutivë) të agjencive në Kosovë nuk ka standard të unifikuar. Duhet të ndërtohen kritere të qarta për t’i zgjedhur strukturat më të larta drejtuese (Bordet normalisht përdoren për agjencitë rregullatorë ndërsa Drejtorët në agjencitë ekzekutive).
• Mungesa e rregullimit të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe niveleve të pagave ndërmjet agjencive: fushëveprimi i Ligjit aktual për Shërbimin Civil nuk është i qartë dhe institucione dhe agjencitë (gjysmë-) të pavarura i anashkalojnë dispozitat lidhur me Menaxhimin e Burimeve Njerëzore. Aplikimi me mospërputhje i dispozitave për MBNJ ka rezultuar me një sistem kryesisht të parregulluar të rekrutimit dhe pushimit të personelit të agjencive dhe me dallime të konsiderueshme të nivelit të pagave, në përgjithësi duke i favorizuar agjencitë krahasuar me ministritë (që nuk është në përputhje me praktikat e BE/OECD-së).
• Mungesa e menaxhimit adekuat të performancës së agjencive: kriteret për programimin, monitorimin dhe raportimin nuk janë të përkufizuara në legjislacion; autonomia e institucioneve dhe agjencive (gjysmë-) të pavarura nuk është e balancuar si duhet me kontrollin e tyre; qëllimet strategjike dhe objektivat e Qeverisë së Kosovës nuk janë të zbërthyera në mënyrë adekuate deri në nivelin e agjencisë; ekziston mungesë e treguesve (kryesorë) të performancës për agjencitë dhe krerët e tyre; edhe atëherë kur përgatiten raportet ato nuk reflektohen në lidhje me rezultatet financiare apo jofinanciare të performancës; instrumentet e llogaridhënies ndaj opinionit të gjerë dhe aktorëve kryesorë nuk janë të zhvilluara sa duhet (p.sh. faqet e internetit nuk janë funksionale dhe raportet nuk janë në dispozicion).
Bazuar në këto të gjetura, nga analiza kemi ardhur në përfundim se duhet të vazhdojmë me këto Rekomandime dhe hapa:
• Finalizimi i projekt-Ligjit për Organizimin e Administratës Publike (ose Ligjin e veçantë për agjencitë) dhe ligjeve tjera si Ligji për Shërbimin Civil dhe Ligji për Pagat;
• T’i jepet mandati një organi të nivelit të lartë për ta racionalizuar qeverinë qendrore dhe agjencitë. Kjo mund të jetë në formën e një Këshilli ndërministror të kryesuar nga Kryeministri me mandat për ta racionalizuar organizimin e qeverisë qendrore dhe të agjencive. Në këtë rast mund të shfrytëzohet edhe Këshilli ekzistues për RAP apo të krijohet një Këshill i ri;
• Gjatë procesit të rishikimit duhet të ketë një fokus se cilat janë agjencitë me prioritet më të lartë, të mesëm dhe të ulët, por do të rishikohen;
• Të maten rezultatet e racionalizimit duke u bazuar në një seri të indikatorëve dhe të raportohet për ndikimin e reformës në baza të rregullta në Qeveri dhe Kuvend të Kosovës;
• Të hartohet dhe përgatitet për nënshkrim një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me zbatimin e Nenit 142 në lidhje me agjencitë rregullatorë dhe agjencitë ekzekutive, me qëllim të sqarimit të linjës së llogaridhënies;
• Të përkufizohen dispozitat e përgjithshme për programimin, monitorimin dhe raportimin në projekt Ligjin e ri për Organizimin e Administratës Publike, duke i ndërtuar kriteret minimale për numrin dhe rregullsinë e raporteve, si dhe disponueshmërinë publike të tyre;
• Ministritë të fuqizojnë vijat e llogaridhënies karshi organeve qendrore dhe të pavarura në aspektin e zbatimit të politikave shtetërore.
• Të bëhet planifikimi dhe monitorimi i Planit vjetor të Qeverisë për implementimin e rekomandimeve nga ky rishikim;
Të nderuar të pranishëm,
këto ishin të gjeturat dhe rekomandimet nga rishikimi i institucioneve / agjencive në kuadër të Kuvendit dhe Qeverisë, i cili gjendët edhe në ueb-sajtin e MAP-it. Me publikimin e këtij rishikimit ne jemi duke plotësuar edhe pikën 4 të pjesës: Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit nga agjenda evropiane.