Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mjaft aktiv sa i përket realizimit të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit.
Që nga fillimi i legjislaturës së V-të nga viti 2015 e deri më tani, janë realizuar 362 udhëtime jashtë vendit, thuhet në një raport të Instituti Demokratik të Kosovës.
Prej tyre, destinacioni më i shpeshtë është Shqipëria, ku janë realizuar 80 udhëtime. Gati 1/3 e deputetëve të Kosovës, apo më konkretisht 45 deputetë, kanë udhëtuar të paktën një herë në Shqipëri gjatë kësaj legjislature.
“Këto udhëtime i kanë kushtuar buxhetit të Kuvendit 24,863.92 euro. Deputeti që ka realizuar më së shumti udhëtime në Shqipëri është Xhavit Haliti, me gjithsej 8 udhëtime me kosto prej 1,663.61 euro. Sa i përket kostos së udhëtimeve, e dyta renditet deputetja Blerta Deliu-Kodra, e cila në 3 udhëtime ka shpenzuar 1,129.26 euro të buxhetit, e pasuar nga deputeti Fikrim Damka, i cili në vetëm 2 udhëtime për në Shqipëri ka shpenzuar 1,042.01 euro”, thuhet në raport.