Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mosveprim, duke thënë se nëse Trepça vazhdon të mbetet kështu, do të vazhdojë të shnëdrrohet në një relikt të dëmshëm për Republikën e Kosovës, në vend se të jetë garant i zhvillimit ekonomik të vendit.
Sipas tij, mungesa e një plani të qartë, afatgjatë strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit i ka lënë të gjitha resurset e Republikës së Kosovës, të shkatërruara, të pazhvilluara e të pakapacitet për të gjeneruar zhvillim ekonomik dhe vende të punës për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kurse, mungesa e guximit drejtues nga ana e Qeverisë dhe moskokëçarja absolute për interesin e vendit, sipas tij, vazhdon ta mbajë Trepçën peng.
“Më 2 nëntor të këtij vitit, saktësisht 1 muaj nga sot skadon afati i zgjatur me ligj nga janari i vitit 2015, kur duhet të fillojë likuidimi i Trepçës…Ligji për Trepçën nuk është dorëzuar ende në kuvend për më tepër Qeveria nuk ka pas guximin të thotë asnjë fjalë të vetme për përmbajtjen e këtij ligji, përkundër pyetjeve të deputetëve, nëse është e vërtet se ligji do të vije shpejt në kuvend, atëherë ai domosdoshmërisht do duhej të ishte i shkruar deri tash dhe nëse është kështu atëherë pse nuk po flet qeveria për përmbajtjen e tij. A do të thotë kjo se ata ende nuk kanë vendosur nëse Trepça do të shndërrohet si ndërmarrje publike apo jo?…Bashkimi i Trepçës Veriore me atë Jugore është i domosdoshëm për rivitalizimin e ndërmarrjes, por edhe për potencialin e saj për të tërhequr investime direkte në segmente të përpunimit industrial, si dhe për funksionimin e duhur të mjeteve eksplatuese. Këto janë disa prej vendimeve dhe ndërhyrjeve urgjente që duhet të pësojnë në Trepçë“, tha Ymeri.
Ymeri fajësoi Qeverinë për këtë ngurrim për “Trepçën”, duke thënë se nëse Trepça vazhdon të lihet kështu, atëherë vazhdon të shndërrohet në një relikt të dëmshëm për Republikën e Kosovës, në vend se të jetë një pasuri e paçmueshme dhe garant i zhvillimit ekonomik të vendit.
“Ky ngurim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që ta trajtojë këtë çështje me kaç interes për vendin, sovranitetin dhe ekonominë e vendit është ngurim i cili po i kushton shumë shtrenjtë Qeverisë së Republikës se Kosovës…nëse Trepça vazhdon të lihet kështu atëherë Trepça vazhdon të shnëdrrohet në një relikt të dëmshëm për Republikën e Kosovës, në vend se të jetë një pasuri e paçmueshme dhe garant i zhvillimit ekonomik të vendit. Kjo qeveri me politikat e saje shpeshherë të mosveprimit të saj po e shkatërron çfarëdo potenciali ekonomik dhe industrial që e ka Republika e Kosovës“, tha Ymeri.
Ymeri theksoi rëndësinë e aktivizimit të metalurgjisë dhe kapaciteteve përpunues të metaleve, gjë që do të shtonte kapacitetin prodhues industrial industrisë minerare nxjerrëse. Si dhe aktivizimin e industrisë kimike për prodhimin e plehrave artificial dhe kimikateve të tjera për ta lidhur me nevojat e zhvillimit të sektorit të bujqësisë.
“Buxheti i Republikës së Kosovës, kreditë afatgjata financiare dhe në pajisje, donatorët e mundshëm nga jashtë, janë burime financiare të cilat duhet eksploatuar për investimet emergjente kapitale në revitalizimin dhe përmirësimin e kushteve e produktivitetit të minierave, flotacionit, metalurgjive të Trepçës”, përfundoi Ymeri/KP