Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu sot në konferencën e thirrur për media ka folur për konstatimin që tashmë Agjencioni Kundër Korrupsion ka bërë për rritjen e pagave, raporton Gazeta Blic. Haxhiu ka thënë se VV i bën thirrje këtij Agjencioni që menjëherë të procedojë me kallëzimet penale për zyrtarët përfshirë edhe kryeministrin dhe ministrat që kanë marrë pjesë në votimin e këtij vendimi të kundërligjshëm.Haxhiu tutje ka kritikuar ashpër vendimin për rritjen e pagave duke thënë se ky vendim duhet të largohet tërësisht dhe jo vetëm të pezullohet.
“Më 2o dhjetor të vitit që lamë pas në mbledhjen e Qeverisë me anë të një vendimi sa të kundërligjshëm aq edhe absurd, kryeministri dhe ministrat ia rritën pagat vetes afër 100% . Me 21 dhjetor pra një ditë pas vendimin e paligjshëm për rritjen e pagave e kemi dërguar në Agjensionin Kundër Korrupsion pasi që kabineti qeveritar nuk kishte shmangur konfliktin e interesit siç e parasheh ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, madje duke i sjellë vetës përfitime kishin konsumuar veprën penale të konfliktit të interesit. Agjensioni kundër korrupsionit të premten e kaluar ka dhënë opinionin e tij se vendimi në fjalë është i kundërligjshëm dhe ne i bëjmë thirrje këtij institucioni që menjëherë të procedojë me kallëzimet penale për zyrtarët përfshirë edhe kryeministrin dhe ministrat që kanë marrë pjesë në votimin e këtij vendimi të kundërligjshëm”, ka deklaruar Haxhiu, raporton Gazeta Blic.
Vendimin për rritjen e pagave në duar e ka Kuvendi i Kosovës, ka thënë deputetja e VV-së./GazetaBlic.