Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sot ndaj deklaratave të ministrit të Bujqësisë, duke thënë se në Qeverinë e Kosovës ministri Nenad Rikallo nuk do të duhej të vazhdonte ta ushtronte postin pa u sqaruar çështja e maltretimit të shqiptarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë, pasi ai dyshohet për tortura ndaj tyre.
Ministri Rikalo sot ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij për keqtrajtim të shqiptarëve gjatë kohës së luftës, duke thënë se ato kanë për qëllim diskreditimin e tij dhe rrëzimin e qeverisë, pasi që ai “për asnjë moment nuk i ka bërë asnjë të keqe asnjë shqiptari në Kosovë”.
Por, Lëvizja Vetëvendosje përkujton dëshmitë e disa qytetarëve të Kosovës, të tronditur nga emërimi në postin e ministrit të Nenad Rikallos, duke publikuar dëshmitë e tyre për dhunën dhe torturat që ai i ka bërë gjatë luftës, në shërbim të spastrimit etnik dhe represionit të organizuar nga Serbia në Kosovë.
“Është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm, tash me poste qeveritare. Kjo ndodh për shkak të mungesës së një sistemi të drejtësisë që do të gjykonte universalisht rastet e krimeve të Luftës në Kosovë. E ndërkohë që shumë kriminelë të luftës shëtisin të lirë, madje arrijnë të jenë dhe pjesë e qeverive në Serbi e në Kosovë, paradoksalisht disa deputetë të Kosovës kanë krijuar një gjykatë që do të gjykojë UÇK-në për krime lufte.
Nuk bën të paragjykohen serbët vetëm pse janë serbë, mirëpo, në anën tjetër, kur ka disa dëshmitarë që flasin e rrëfejnë hollësisht për maltretime, patjetër ato duhet të merren seriozisht dhe me urgjencë. Në Qeverinë e Kosovës, ministri Nenad Rikallo nuk do të duhej të vazhdonte ta ushtronte postin e tij pa u sqaruar kjo çështje”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
Për më tepër Vetëvendosje kërkon që të hetohen rastet e dëshmitarëve, të cilët akuzojnë Rikalon për tortura ndaj tyre.
“Ministri Rikallo dyshohet për tortura. Ne e dimë se personat me pushtet në Kosovë janë në gjendje ta pengojnë hetimin. Kështu që, për t’i hapur rrugë hetimeve, ai duhet të zhvishet nga secili pushtet. Pavarësisht se në cilin institucion apo organizatë mund të ketë punuar pas luftës Rikallo, e pavarësisht se cilin shqiptar mund të ketë rastisur aty, është e domosdoshme të hetohen rastet për të cilat ai akuzohet nga dëshmitarët, dhe sigurisht që për të e për secilin të dyshuar tjetër, duhet të zbardhen të gjitha veprimet gjatë kohës së okupimit dhe luftës në Kosovë”, përfundon komunikata e Lëvizjes Vetëvendosje.