Aktuale

VV: RTK, altoparlant i Qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi për media, ka reaguar ndaj sulmit të mbrëmshëm të televizionit publik.

“Me tentimin për ta lidhur Vetëvendosjen me sulmin e mbrëmshëm në RTK, menaxhmenti i këtij televizioni e konfirmoi përfundimisht që RTK-në e kanë shndërruar në propagandues klasik të Qeverisë. Lëvizja Vetëvendosje ka shumë kohë që i bënë thirrje RTK-së të mos i shërbejë Thaçit, Veselit dhe Mustafës si altoparlant agjitacioni. Kapja e RTK-së është dëshmuar përmes uzurpimit të pozitave drejtuese nga militantët partiakë, është dëshmuar nga përgjimet dhe po dëshmohet vazhdimisht nga politikat redaktoriale të këtij mediumi”, thuhet në reagimin e kësaj Lëvizje.

Sipas tyre, Qeveria dhe klani Pronto nuk gjeti fajtorët për asnjërin prej sulmeve që kanë ndodhur kohët e fundit.

“RTK-ja në vend që të kërkojë përgjegjësi nga kjo qeveri dhe klani pronto, për dështimin e sistemit të sigurisë në vend dhe për mosgjetjen e fajtorëve, e sulmoi Lëvizjen Vetëvendosje. Lëvizja nuk pajtohet me sulmin e mbrëmshëm ndaj RTK-së, jo sepse RTK-ja e sotme simbolizon fjalën e lirë, por sepse nuk mendojmë që sulmet e tilla me bomba ndihmojnë ndonjë kauzë të drejtë në Kosovë. Çlirimi i shtetit tonë nga klani pronto që ka uzurpuar çdo institucion publik, do të ndodh vetëm përmes protestave masive paqësore nëpër sheshet e Prishtinës”, thuhet më tej në reagim.