Projektligji aktual për Forcën e Sigurisë së Kosovës nuk mund ta transformojë këtë të fundit në ushtri. Ky projektligj vetëm do ta ndihmojë FSK-në, në rritjen e kapaciteteve. Kështu u tha në konferencën me temë “Forca e Sigurisë së Kosovës dhe rregullimet ligjore”, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Visar Ymeri , kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se prej se është çliruar Kosova nga okupimi serb diskutimi për ushtrinë ka qenë përherë i pranishëm, duke shtuar se diskutimi për ushtrinë ka qenë i pranishëm edhe para çlirimit dhe vazhdimisht është diskutuar për atë se çfarë, si dhe pse dhe kur duhet ta formojmë ushtrinë e Kosovës njëherë e pastaj edhe ushtrinë e Republikës së Kosovës.“Në fakt që prej vitit 1990 e veçanërisht pas viteve 1995-1996 populli i Kosovës ishte organizuar dhe kishte organizuar ushtrinë e vet çlirimtare e cila e pati luftën ose pjesën kryesore të luftës për çlirim të Kosovës nga okupimi serb dhe ky rrugëtim pastaj i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një farë mënyre prej vitit 1999 në momentin e çlirimit të Kosovës nga ushtria serbe me ç’rast edhe UÇK-ja, pushoi së ekzistuari ajo u çarmatos dhe u transformua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës”, ka thënë ai.“Më shumë kemi pasur ushtri kur kemi qenë të okupuar se sa kur kemi qenë të lirë e aq më pak kur e kemi shpallur veten shtet të pavarur dhe sovran dhe ky mendoj që është paradoksi i parë ”, ka pohuar Ymeri.