Aktuale

VV: Po të mos ishim ne, demarkacioni me Malin e Zi do të kalonte

Pasi që Kryesia e Kuvendit të Kosovës pas mbledhjes së sotme vendosi që projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi ta dërgoj në Kuvend me datën një shtator, dhe jo siç ishte paraparë në ditën e nesërme, Lëvizja Vetëvendosje thirri konferencë të jashtëzakonshme për media.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë deklaruar se po të mos ishte Vetëvendosje me veprimet e tyre politike, dhe mobilizimin me qytetarët demarkacioni me Malin e Zi do të kalonte qysh më herët.

Në këtë konferencë Vetëvendosje ka reaguar edhe ndaj arrestimit të shefit të Grupit Parlamentar, të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit  hodhi gaz lotsjellës, si dhe për arrestimin e deputetit Driton Çaushi gjatë ditës së djeshme në Komisionin për Punë të Jashtme i për hedhjen e gazit lotsjellës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, tha se përpjekja për të sjellë marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës, ishte akt terrorist ndaj integritetit të vendit, e të cilin integritet dje dhe sot sipas Kadaj-Bujupi, e mbrojtën deputetët e partisë në të cilën ajo është pjesë.

 

“Përpjekja për të sjellë marrëveshjen në Kuvendin e Republikës së Kosovës ishte një akt terrorist ndaj integritetit territorial të vendit tonë…rrjedhimisht Driton Çaushi në Komisionin për Punë të Jashtme, dhe sot Galauk Konjufca që njëkohësisht është edhe shef i Grupit Parlamentar ashtu siç janë betuar edhe vepruan, pra mbrojtën territorin, integritetin dhe sovranitetin e vendit tonë”, tha Kadaj-Bujupi.

Por Donika Kadaj-Bujupi shtoi se arrestimi i dy deputetëve të VV –së, edhe njëherë tregon se pushteti është mbi drejtësinë. Edhe përkundër arrestimeve ajo tha se demarkacioni nuk do të kaloj.

 

“Kjo edhe njëherë flet se në vendin tonë pushteti është vend mbi drejtësinë, pasi që deputetët e opozitës dhe me theks të veçantë deputetët Lëvizjes Vetëvendosje të cilët po e mbrojnë territorin, po e mbrojnë republikën po burgosen me masa shumë të shpejta duke u mobilizuar polica dhe prokuroria brenda pak orëve ndërkaq kriminelët e klanit “PRONTO” po amnistohen duke na thënë se mungojnë prova dhe fakte. Vazhdimi i përndjekjeve opozitare dhe masave represive ndaj Lëvizjes Vetëvendosje kanë dëshmuar edhe në të kaluarën por dëshmon edhe sot se në fakt neve veç na fuqizon, na forcon, e fuqizon kauzën tonë dhe për më tepër edhe nëse na burgosin të gjithëve demarkacioni nuk do të kaloj’, tha Kadaj-Bujupi.

Se mobilizimi i Lëvizjes Vetëvendosje e ka ndaluar marrëveshjen me Malin e Zi e tha edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu.

 

“Ashtu siç kemi filluar betejën tonë para 11 muajsh kundër demarkacionit, demarkacion ky i cili mundohet të i heq një pjesë territorit të Republikës së Kosovës, me aksion politik, me mobilizim qytetarë, me peticion të qytetarëve, me veprim të pa ndalur drejtë këtij pushteti i cili e ka kap shtetin ashtu edhe këto dy ditët e fundit është dëshmuar që mobilizimi jonë si Lëvizje Vetëvendosje është mobilizimi i qytetarëve, aktivizimi polikë i deputetëve, qytetarëve, vetëvendosjes si organizatë politike, e ka shtyrë demarkacionin dhe ky aktivizim për njëmbëdhjetë muaj ka siguruar që demarkacioni të mos kaloj”, tha Sejdiu.

Sejdiu ka ritheksuar se po të mos ishte Lëvizja Vetëvendosje çështja e marrëveshjes për pikën kufitare me Malin e Zi do të përfundohej qysh më herët.

 

“Ky organizim i yni, ky mobilizim i joni nuk do të ndalet. Pra edhe sot u dëshmua se po të mos ishte Lëvizja Vetëvendosje me veprimin e saj politik, në Kuvend, jashtë Kuvendit , në sallat e komisioneve, jashtë sallave të komisioneve demarkacioni do të kaloj. . rrjedhimisht ne sot këtë shtyrje deri më datën 1 shator dhe më vonë edhe përfundimisht ndaljen e demaskimit me anë të aktivizimit qytetarë dhe veprimit politik të Lëvizjes Vetëvendosje do ta ndalin përgjithësisht” theksoi Sejdiu.

Edhe njëherë Sejdiu iu bëri thirrje qytetarëve që t’ju bashkohen dhe të mbrojnë faljen e 8 mijë e 200 hektarëve për një shtet tjetër. Ai tha se VV dhe deputetët e saj nuk do të ndalen.

Ndërsa, lidhur me deklarata e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, se partia e tij nuk  t’i bashkohen Vetëvendosjes, Sejdiu tha se VV mbetet e hapur ndaj thirrjeve të të gjithë atyre që janë kundër faljes së tokës, dhe kundër këtyre marrëveshjeve të cilat e cenojnë integritetin e Kosovës që ti bashkohen kundërshtimit. /KP/