Aktuale

VV: Kolaps energjetik në Komunën e Drenasit

Komuna e Drenasit në kohën e fundit po ballafaqohet me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, të cilat po e vështirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve dhe mbarëvajtjen e bizneseve të ndryshme.

Kështu thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje dega në Drenas, ku theksohet se me gjithë këtë mungesë të madhe të energjisë, zyrtarët e KEDS nuk kanë dhënë ndonjë informim zyrtar paraprak dhe nuk po tregojnë pse kjo komunë po mbetet pa rrymë me orë të tëra.

“Në bazë të informacioneve jozyrtare që i kemi, menaxhmenti i fabrikës së “Feronikelit”  në mënyrë arbitrare ka pamundësuar shfrytëzimin e trafo- stacionit  ( që ndodhet në zonën e fabrikës), i cili i përket linjës furnizuese të Kosovës B. Tani Komuna e jonë po furnizohet me energji elektrike nga linja  e Kosovës A, e cila ka kapacitet të kufizuar dhe  rrjet të vjetërsuar që nuk garanton energji të rregullt dhe stabile. Ky kolaps energjetik në Komunën e Drenasit i shkaktuar  nga veprimi joligjor i menaxhmentit të Feronikelit dhe nga mosveprimi adekuat i KEDS, ka pamundësuar zhvillimin e jetës normale të mbi 70.000 mijë qytetarëve dhe ka çrregulluar veprimtarinë e  mbi 1000 mijë bizneseve që ndodhën në Komunën tonë”, thuhet në komunikatë.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas ka kërkuar nga institucionet komunale dhe qendrore që sa më parë t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore,  për ta kthyer  normalitetin në Komunën e Drenasit./KosovaPress/