Aktuale

VV kërkon zbardhjen e vdekjeve të dyshimta në QKU

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të vdekjeve të dyshimta që ndodhen në Qendrën Klinike Universitare para disa ditësh.

Zyrtarë të kësaj partie kanë akuzuar edhe udhëheqjen e QKU-së se ka përgjegjësi dhe se nuk mund t’i ikin asaj.

Deputeti i VV-së Sami Kurteshi tha se QKU-ja sikurse edhe secili institucion tjetër mjekësor, bashkë me disa institucione të tjera si burgjet, institucionet e Policisë, qendrat e ndalimit, shkollat, janë institucione ku qytetari e dorëzon jetën e vet që është e garantuar me Kushtetutë në duar të sigurta në duar të shtetit.

Prandaj, sipas Kurteshit këto institucione e kanë për obligim të sigurojnë me çdo mjet dhe me çdo kusht jetën e njeriut.

Mirëpo, ai thotë se nga e gjithë kjo që ka dal, duket qartë se neglizhenca e personave përgjegjës ka arritur në kufirin e krimit.

“Deklaratat e shpejta publike që i kemi dëgjuar menjëherë pas publikimit të rastit, duke filluar nga vetë ministri i Shëndetësisë, lënë të dyshohet në dy qëllime dhe hetimet shkojnë në dy pista. Së pari është krejtësisht e mundur që të gjithë personat përgjegjës kanë qenë të informuar dhe e kanë ditur për ekzistimin e këtij rreziku që më parë, sepse mundësisht kanë pasur dhe kanë dorë vet me këto keqpërdorime me tenderë të tillë. E dyta është krejtësisht e mundur që personat përgjegjës duke filluar nga vetë ministri duan të fshehin diçka që është edhe më e rrezikshme që mund të jetë me përmasa edhe më të dëmshme dhe të rrezikshme, që në çdo moment mund të bëhet publike”, tha Kurteshi.

Sipas tij, nga e gjithë kjo, një gjë është e qartë, të gjitha këto veprime, të gjitha përzierjet, me qëllim të komplikimit, të emrave, të institucioneve, të kompetencave, të personave përgjegjës, të funksioneve, e kanë një qëllim të vetëm, edhe kjo është ikje nga përgjegjësi siç është bërë e zakonshme, përmes këtyre komplikimeve e përzierjeve, në mënyrë që krejt në fund përgjegjësia për këto vdekje, të bie mbi hallkën më të dobët dhe të fshihen gjurmët e krimit dhe të përgjegjësve të vërtetë.

Edhe nënkryetarja e VV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollqaku ka bërë fajtorë kryesor menaxhmentin, derisa ka kërkuar zbardhjen e këtyre vdekjeve sa më shpejt që është e mundur.

“Po ashtu i tërë menaxhmenti apo vija udhëheqëse deri tek udhëheqësit në MSH në këtë rast përgjegjësia bie të gjithë dhe askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë, sepse dihet strikt që rregullativa ligjore duhet të respektohet dhe menaxherët e kanë për detyrë që ta mbikëqyrin sistemin…Ne kërkojmë që jo vetëm që të zbardhet sa më shpejt ky rast, të shikohet si ka qenë e mundur një kompani e pa licencuar që ta prodhoj apo furnizoj, sepse këtu po del se edhe spitali i Gjilanit furnizohet nga i njëjti furnitor, të konstatohet si ka qenë e mundur. Dhe assesi nuk mund t’i ikë përgjegjësisë menaxhmenti dhe besoj se pas përfundimit të hetimeve, që kanë filluar dhe duhet të jenë gjithëpërfshirëse, dhe ne jo vetëm që do të kërkojmë që të zbardhet rasti, por gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë sepse jeta qoftë edhe një njeriu është tepër e vlefshme”, theksoi ajo.

Para disa ditëve u raportua se javën që shkoi kanë vdekur katër persona, vetëm brenda një dite, madje njeri prej tyre fëmijë. Hetimet për këtë rast kanë filluar, derisa gazi për oksigjenin dyshohet se është fajtori për shkaktimin e këtyre vdekjeve. /kp