Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se është e qartë se “Zajednica” dhe demarkacioni me Malin e Zi, janë të vdekura dhe ka mbetur dorëheqja e Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu tha se që nga dje është e qartë që dy temat kryesore, “Zajednica” dhe demarkacioni i gabuar, janë tema të vdekura.
“Një vjet angazhim i subjekteve opozitare e kanë delegjitimuar komplet një Qeveri. Kryeministri së bashku me tërheqjen e demarkimit është dashur të sjellë edhe letrën e dorëheqjes. Këto dy kauza nga dje kanë vdekur dhe e vetmja që ka mbetur është dorëheqja e Qeverisë. Angazhimi qytetar dje siguruan dhe dorëheqjen e demarkimit. E vetmja që mbetet është dorëheqja e kryeministrit Mustafa dhe shkuarja në zgjedhje. S’na mbet asgjë tjetër veç të kërkojmë dorëheqjen e Qeverisë. Është e qartë se “Zajednica” dhe demarkacioni janë të vdekura dh na ka mbetur edhe dorëheqja e qeverise dhe shkuarja në zgjedhje”, tha ai.
Kurse, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu u ndal te afera pronto, duke thënë se sistemi i drejtësisë është kapur nga ky regjim.
“Nuk janë nëpër burgje kriminelet e klanit pronto. Në burgje janë ata që po e mbrojnë republikën. Nuk ka asnjë arsye të vetme që aktivistët tanë dhe deputetët të mbahen në arrest. I ftojmë organet e drejtësisë të mos bien në presionin e politikave ditore. Ky sistem i drejtësisë po i sfidon jo vetëm të drejtat e aktivistëve të Vetëvendosjes së por dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai