Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar në që në rend të ditës të futet edhe diskutimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Podujevë, ta cilat u shtyn për shkak të pandemisë së Coronavirusit, raporton Ekonomia Online.
Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga kryetarja Valdete Daka, ta vë në rend dite edhe temën për zgjedhjet në Podujevë. Ai tha se ka ardhur koha për zgjedhjet në Podujevë, kësisoj ka kërkuar të sqarohet rreth mbajtjes së tyre.
“Deri sot nuk kemi pasur pika të tilla të rendit të ditës. Është kompetencë ekskluzive e presidentit për t’u shpallur zgjedhjet në Podujevë. Ata që janë kompetent vendosin se kur do të mbahen këto zgjedhje. Nuk më duket e arsyeshme ta vendosim në votim sepse s’kemi çka të diskutojmë për këto zgjedhje dhe s’janë në kompetencën tonë. Më duket politizim i kësaj çështjeje. Kur na kërkohen, sigurisht se ne i mbajmë”, tha Daka.
Sami Kurteshi, vlerësoi së është koha të diskutohet për zgjedhjet, pasi sipas tij, janë shtyrë në afat të pacaktuar.
“Ne jemi të gjithë politik, s’ka nevojë të thuhet politizim sepse ne jemi të gjithë përfaqësues politikë. Sa i përket shtyrjes së zgjedhjeve, natyrisht se ne kemi marrë vendim të drejtë mirëpo sipas ligjit, kemi shtyrë zgjedhjet pa datë të caktuar. Ky është lëshim dhe nuk ka qenë e lejuar të shtyhen për afat të pacaktuar. Është momenti që në bazë të rekomandimeve, të caktojmë datën”, tha Kurteshi.
Ndërsa Daka, duke aluduar në çështjet e ngritura nga Kurteshi, tha se zgjedhjet janë shtyrë nga presidenti, e jo nga KQZ-ja prandaj sipas saj, KQZ-ja s’mund ta vendosë datën e tyre.
“Ne s’marrim vendime për zgjedhjet as s’i shpallim ato”, tha Daka.
Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu u pajtua me Dakën për të mos diskutuar për datën e zgjedhjeve pasi siç tha ai, nuk vendos KQZ-ja.
Daka tha se shumë masa të pandemisë mbesin në fuqi dhe pandemia nuk ka përfunduar.
“Prandaj, s’jemi ne pala e interesuar që duan zgjedhje, ne jemi argat të subjekteve politike për t’i organizuar ato. Në momentin kur vlerëson IKSHPK-ja e kushdo që është kompetent, ne i organizojmë”, u shpreh kryetarja e KQZ-së.
KQZ do të diskutojë këto pika:
2. Aktivitetet e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim: – Shqyrtimi i raportit për azhurnimet e të dhënave vjetore të Partive Politike; – Shqyrtimi i raportit për dorëzimin e raporteve të shpenzimeve vjetore të partive politike; – Shqyrtimi i raportit për deklarimin e partive politike për vazhdimin e regjistrimit; – Shqyrtimi i kërkesës së partisë politike Lëvizja për Bashkim (LB) për shtyrje të afatit për mbajtje të Kuvendit Zgjedhor; 3. Këshilli për Çështje Ligjore: – Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesës për zëvendësimin e anëtarës së Kuvendit Komunal në Klinë; 4. Themelimi i Komitetit të Audititmit të Brendshëm; 5. Të ndryshme