Analistja politike, Luljeta Aliu, ka komentuar rezultatet e Exit Poll-it për zgjedhjet, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë përmbysjen më të madhe, ndërsa për Lidhjen Demokratike të Kosovës tha se iu duhet një reformim radikal, njofton Klan Kosova.
Për kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, Aliu tha se e kanë parë se si i ka fituar zgjedhjet me duar në xhepa, duke thënë se po vazhdon siguria e tepruar.
“LDK ka filluar shumë vonë me hapa të reformimit”, tha Aliu, duke iu referuar edhe sjelljes së fytyrave të reja në radhët e LDK-së, për të cilat shtoi se kishte qenë pak skeptike me ato vota që do t’ia sillnin ato fytyra.
Aliu tha se në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka nevojë për një reformim radikal përmes largimit të strukturave të vjetra sa më shpejt që është e mundur.
Në anën tjetër, sipas saj, përmbysjen më të madhe e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje, duke e konsideruar revolucion këtë që ka ndodhur.