Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dyshime të mëdha në lidhje me vdekjen e aktivistit të tyre, Astrit Derhari. Ata duke kërkuar që gjatë autopsisë të marrin pjesë edhe ekspertë nga jashtë, kanë thanë se Astriti është viktimë e pushtetit dhe regjimit.
Lideri i kësaj lëvizje, Visar Ymeri në një konferencë të jashtëzakonshme për media, tha se ky është një terror i kulluar nga Policia e Kosovës. Ai kërkojnë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të tjerë, për shkak të mos sigurisë së tyre.
“Vdekja e aktivistit tonë Astrit Derharit, pavarësisht mos sqarimit të rrethanave është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit sepse Astriti ka vdekur për atë kohë sa ka qenë në burg…Mbështesim plotësisht kërkesën e familjes Derhari për autopsi të pavarur dhe të besueshme për të identifikuar drejt dhe saktë shkaktarët e vdekjes së Astritit. Përgjegjësia e shtetit në këtë rast është e pashmangshme, është përtej çfarëdo dyshimi të bazuar, pra është absolute, ne nuk do të heshtim deri në zbardhjen e rastit dhe në vënien e drejtsisë edhe për këtë rast, veçanërisht për këtë rast“, tha Ymeri.
Në anën tjetër, sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj tha se Astriti nuk ka vdekur në spital por ka shkuar i vdekur në spital.
Molliqaj është shprehur i shqetësuar për tri deklaratat kontradiktore nga Policia, Shërbimi Korrektues, Prokuroria, të cilët veç e thellojnë dyshimin.
“Astriti nuk ka vdekur në spital, Astriti ka shkuar i vdekur në spital kjo është e vërtet edhe zyrtare. Astriti një javë para se të ndodhte rasti me kërkesën e tij i ka bërë analizat në burg që kanë treguar që nuk vuan nga asnjë problem, e konfirmuar nga zyrtarët e burgjeve të Kosovës, Astrit Derhari nuk ka qenë duke marrur asnjë medikament apo tabletë për gjatë gjithë kohës sa ka qëndruar në burg dhe kjo është zyrtare dhe e konfirmuar “, tha Molliqaj.
Ai ka sqaruar se në burg medikamentet merren vetëm me udhëzues të mjekut dhe ato mund të përdoren vetëm me prezencën e mjekut dhe oficerit korrektues dhe nuk të lihen në dhomë, nuk të jepen në dorë por duhesh t’i përpish drejtpërdrejt në gojë në prezencën e mjekut dhe ne prezencën e këshillit korrektues.
“Ajo që ndodhi kurrsesi nuk është tragjedi, ky është një viktimë e pushtetit dhe regjimit…ne po kërkojmë që për shkak të krejt kësaj që ndodhi, deklaratave të çuditshme dhe kontradiktore, në momentin që ndodh autopsia të kemi ekspert nga jashtë. Sipas të gjitha gjasave me aq sa kemi kontaktuar me familjen, ata do të jenë zyrtarë ligjor nga Shqipëria”, tha ai.
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje do të ndezin qirinjë në orën 17:00, në sheshin “Skënderbe”, përballë Teatrit Kombëtar në shenjë nderimi ndaj aktivistit Astrit Dehari, i cili dje i ka vdekur në rrethana ende të paqarta në burgun në Prizren./KP