Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev kanë biseduar “gjatë dhe hapur” dhe kanë shqyrtuar të gjitha rrethanat e krijuara, pas tërheqjes së personelit nga Ambasada serbe në Shkup.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se presidenti serb dhe kryeministri maqedonas kanë arritur pajtim për pesë pika.
-Serbia dhe Maqedonia do të zgjedhin përmes dialogut çdo mos pajtim eventual në marrëdhëniet reciproke.
-Pavarësisht nga dallimet politike për çështje të caktuara të rëndësishme politike dhe rajonale, Serbia dhe Maqedonia do të angazhohen së bashku jo vetëm për ruajtjen, por edhe avancimin e marrëdhënieve miqësore të popullit serb dhe atij të Maqedonisë.
-Serbia dhe Maqedonia do të bëjnë përpjekje më të mëdha për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare të dyja vendeve.
-Po ashtu, Serbia dhe Maqedonia, në pajtim me rregullat ndërkombëtare, do të mbrojnë të drejtat dhe interesat e përfaqësuesve të tyre diplomatikë në territoret e këtyre vendeve.
-Serbia dhe Maqedonia do të intensifikojnë komunikimin reciprok në nivelin më të lartë, duke mbështetur njëra-tjetrën në rrugën evropiane dhe forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke kontribuuar në stabilitetin rajonal.
Në pikat e lartpërmendura Vuçiq dhe Zaev nuk përmendin tema, të cilat kanë shkaktuar probleme diplomatike ndërmjet dy vendeve- tema e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Ndryshe, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se nuk do të ishte e çuditshme nëse Maqedonia do të mbështeste pranimin e Kosovës në UNESCO. Ai ka thënë se “dëshiron që në Shkup ta dinë se ne i dimë të gjitha”.
Serbia ka tërhequr personelin nga ambasada e saj në Shkup të dielën e kaluar, transmeton KosovaPress.