Aktuale

Vuçiq ua përmend serbëve pavarësinë e Kosovës: Edhe Serbia duhet të fitojë diçka

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të bëhet kudo, por nën patronazhin e Bashkimit Evropian.

Ai për televizionin serb Happy ka thënë se “nëse ndërrohet formati i dialogut gjegjësisht futen faktorë të rinj, për atë duhet të negociohet”, transmeton gazetametro.net.

Vucic ka thënë se “dialogu i brendshëm në Serbi duhet të kryhet në mënyrë që qytetarët serb “të mos zgjohen” me lajmin se Vuçiq e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa Serbia nuk ka fituar asgjë”. Me këtë, Vuçiq ka paralajmëruar një njohje të pavarësisë, por ka lënë të nënkuptohet që Serbia duhet të fitojë diçka.

Ndërkaq, duke folur për kriminelët serbë të luftës të dënuar në Hagë, Vuçiq ka thënë se “do të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë që qytetarët serbë t’i mbajnë dënimet në Serbi, me shpenzime të Serbisë”.

Ndryshe, ditë më parë u takuan presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ai kosovar, Hashim Thaçi, ku diskutuan për modalitetet e vazhdimit të bisedimeve që u ndërprenë muaj më parë. Tash, në njërën anë Serbia po kërkon mbikëqyrjen e BE’së, e në anën tjetër Kosova kërkoi përfshirjen edhe të SHBA’ve në këtë dialog.