Kopaonik – Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se verifikimi i aftësive operacionale të një pjese të ushtrisë serbe, është i zakonshëm dhe se po zbatohet në përputhje me planet e mëhershme.
“Kjo është një kontrollë e zakonshme, po kryhet në përputhje me planet që ne kemi. Kjo është krejtësisht normale dhe asgjë më shumë se kaq”, ka thënë Vuçiq në një konferencë shtypi në Kopaonik, raporton Tanjug.
Dje, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes dhe vendimin e Presidentit të Republikës së Serbisë, ka filluar kontrollimi i aftësitë operacionale të një pjese të ushtrisë së Serbisë.
Kontrollimi filloi natën e kaluar, ndërsa në pyetje është një inspektim fushor i jashtëzakonshëm, pa paralajmërim, i aftësive operacionale të një pjese të forcave për reagime emergjente që do të zbatohet deri më 9 mars në disa vende në Serbi, thuhet në një deklaratë.
Duket se, megjithatë, ky “inspektim i jashtëzakonshëm dhe pa paralajmërim” ka të bëjë me zhvillimet në Kosovë lidhur me ndryshimet ligjore që mundësojnë ndryshimet e nevojshme me të cilat FSK-së i jepen kompetenca ushtarake, raporton Gazeta Express.