Aktuale

Vucic për avionët MIG: Kurrë më vitet 1995 dhe 1999

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic, ka thënë se Serbia nuk heq dorë nga neutraliteti ushtarak dhe se fuqia e Serbisë është në atë që nuk e ka ndryshuar politikën e saj.

“Unë nuk jam një nga ata që kur shkon në Moskë, thotë një gjë, ndërsa kur shkon në Washington thotë një gjë tjetër. Në Moskë them se ne jemi në rrugën evropiane, në Washington them se ne nuk do të vendosim sanksione ndaj Federatës Ruse. Kjo është politika jonë”, ka thënë Vucic për Radio televizionin e Serbisë, raporton B92.

Vucic ka thënë se Serbia i ka marrë “plotësisht falas” avionët MIG-29, nga Rusia, ndërsa do të paguajnë vetëm raketat (ajër – ajër dhe ajër – tokë), të cilat dëshiron t’i ketë.

Përveç kësaj, Vucic tha se Serbia “me dhjetë avionët më të fuqishëm, të tillë si MIG, gjatë 14 viteve të ardhshme do të jetë absolutisht e para në rajon”.

Ai ka thënë se Serbia, me MIG-ët e siguruar do të mund të mbrojë “qytetet, fshatrat dhe urat”, por që nuk ka ndërmend që të bëjë kurrfarë lufte sulmuese dhe konflikte.

“Ne e bëmë këtë për të mbrojtur fëmijët tanë dhe për t’u garantuar atyre një të ardhme. Ne kemi humbur shumë koka serbe”, ka thënë Kryeministri i Serbisë.

Ai shtoi se avionët MIG-29 i kërkoi disa herë nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për shkak se ai “kujdeset për të ardhmen e Serbisë”.

” Atë fat që e përjetuan njerëzit tanë, në vitet 1995 dhe 1999, nuk do t’a përjetojnë më”, ka thënë Vucic, duke shtuar se Serbia ka mësuar nga gabimet e saj dhe se ka një të ardhme të ndryshme dhe më të mirë.

Për lexuesit duhet sqaruar se vitet 1995 dhe 1999 ishin vitet kur NATO sulmoi makinerinë ushtarake serbe. Në vitin 1995 në Bosnjë, ndërsa në vitin 1999 në Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi./GazetaExpress/.