Ekonomi

Vreshtarët nuk janë të kënaqur me çmimin (Video)

Kultivimi i vreshtarisë dhe prodhimi i verës, vazhdon të mbetet sektori më i zhvilluar në rajonin e Rahovecit dhe burimi kryesor i të ardhurave. “Kosova Vine” dhe “Shulina”, të vetmit që kanë bërë ngritje të çmimit. Në Rahovec 70 përqind të sipërfaqes janë me rrush të verës, 30 përqind me rrush të tryezës. Çmimi nuk është i kënaqshëm, sepse kostoja e prodhimit është goxha e lartë, deklarojnë prodhuesit dhe institucionet e Rahovecit.

Vreshtarët në Rahovec tashmë janë në përfundim të fushatës për vjeljen e rrushit për këtë sezon dhe janë ndarë të kënaqur me rendimentet dhe cilësinë e lartë të këtij produkti bujqësor, mirëpo, nuk janë kënaqur edhe me çmimin e shitjes së rrushit.

Myfteren Zllanova, i cili me shumë vullnet kultivon rrush, thotë për KosovaPress se vreshtaria dhe prodhimi i verës është një sektor i zhvilluar dhe modern për këtë komunë, dhe sipas tij, rrushi jo vetëm që plotëson nevojat e brendshme, por ka arritur që të eksportohet me sukses edhe në tregjet e rajonit dhe anë e mbanë botës.

Zllanova i cili është në përfundim të vjeljes së rrushit, thotë se gjatë verës ka pasur disa dëme në vreshtarin e tij nga kushtet klimatike, ku reshjet e shiut edhe sot po pengojnë vjelën e rrushit. Sipas tij, çmimet e lira të rrushit po i dikton edhe tregu.

 

“Vneshtë kam 2 hektarë e 30 ari, sivjet jo shumë të kënaqur për shkak të kushteve klimatike. Breshëri një herë e prishi, mandej, shiu nuk po na lenë as me vjelë si duhet edhe ëmbëlsira për venë dhe rakia nuk  është ashtu siç kemi pasur qejf… shteti shumë mirë, që po jep nga 1 mijë euro për hektarë, jemi të kënaqur… Ne jemi të kënaqur, sepse edhe ai që e blenë s’ka fitim të madh, mbasi ai nuk ka fitim të madh edhe neve nuk mund ta na paguaj më shumë… “vranaci” për venë 26 cent, këto të përzierat më të dobëta  11 cent për kilogram”, thotë Zllanova.

Nënkryetari i shoqatës së vreshtarëve “Vreshtari” në Rahovec, Hamit Makshana, deklaroi për KosovaPress se ky vit ka qenë i bereqetshëm në vreshtari, duke marrë parasysh edhe dëmet nga fatkeqësitë natyrore që kanë qenë gjatë kësaj vere. Makashana thotë se 0.25 cent është çmimi i mesatares duke llogaritur të gjitha varietetet e rrushit. Llogaritet se me vreshta janë të mbjella në këtë komunë rreth 3 mijë hektarë, ku rendimenti vetëm për sivjet sipas nënkryetarit të shoqatës është mbi 3 milionë kilogram.

 

“Në përgjithësi, mund të themi se sivjet prodhimtaria në rrush ka qenë mjaft e frytshme, bile sektori individual… ka qenë sivjet shumë më i mirë… Sivjet bodrumet, sidomos dy grumbulluesit “Stone castel” dhe “Haxhi Jaha” kanë marrë sasi të konsiderueshme ndoshta edhe jashtë planit të tyre, mandej, kanë marrë edhe bodrumet më të vogla. Konkretisht ka grumbulluar edhe “Kosova vine”, ku i vetmi ai dhe bodrumi më i vogël “Shulina” kanë bërë diferencim në çmime, kanë bërë ngritje. Ka tri katër vite që nuk kanë bërë ndryshim në çmim”, deklaroi Makshana.

Sipas tij, ky sektor është mjaft profitabil për ata që kanë sipërfaqe më të mëdha se mbi tre hektarë. Në Rahovec 70 përqind të sipërfaqes janë me rrush të verës, kurse, 30 përqind me rrush të tryezës.

Ai tha se në përgjithësi mund të thuhet se 90 përqind e sipërfaqeve të mbjella me vreshta janë vjelë.

Labinot Shulina, kultivues dhe grumbullues i rrushit në bodrumin “Sefa Ëine” në Rahovec për KosovaPress, tha se fatmirësisht ka filluar tregu i rrushit dhe venave të stabilizohet dhe bodrumet që janë në Rahovec kanë filluar të gjejnë tregjet të reja, të fillojnë edhe eksportet e ndryshme.

Mirëpo, sipas tij, ky proces kërkon kohë dhe durim, sepse për të gjetur një treg duhet goxha punë dhe kohë, duke pasur parasysh konkurrencën mjaft të madhe.

Shulina tha se kryesisht Kosova është e orientuar që verërat më cilësore të fillojnë të shiten edhe në tregun e jashtëm.

Ai thotë se shumica e bodrumeve, tashmë kanë filluar ta shesin verën në tregjet e Evropës, siç është Kroacia, Çekia, Gjermania, Zvicra dhe në vende të tjera.

 

“Nëse kemi ne kërkesë për shitjen e verës, atëherë ne nuk do të rrimë me 20 – 50 cent, por do të shkojmë deri në 2 euro rritjen e çmimit të rrushit, pra, ky është problemi kryesore që oferta dhe kërkesa janë lidhura si ‘thoni me mishin’. Ato janë problemet kryesore të një zhvillmi ekonomik apo një tregu që mundemi me gjetur ne dhe vreshtarët me qenë të kënaqur… Çmimi nuk është i kënaqshëm, sepse kostoja e prodhimit është goxha e lartë dhe nuk mundet me qenë i kënaqur as vreshtari por as bodrumi, përpunuesi”, thotë grumbulluesi Shulina.

Qeveria ka filluar të përkrah këtë sektor me nga 1 mijë euro për hektarë, dhe vreshtaria vit për vit po zhvillohet e po avancohet.

Vreshtarët rahovecian me fanatizëm e ruajnë këtë kulturë të vjetër bujqësore, të cilat kanë mjaft profit. /KP/