Pas 14 orë aksioni ku u angazhuan të gjitha shërbimet e policisë së Shkodrës, FNSH dhe RENEA, është bërë i mundur arrestimi i autorit të masakrës së ndodhur mbrëmë në një lokal në fshatin Dajç. Burime zyrtare nga policia thanë për Express se Miklovan Parubi 33-vjeçar, u vu në pranga rreth orës 13:30 të ditës së sotme. Ai ishte fshehur në një ndërtesë të braktisur pranë banesës dhe lokalit të tij.
Miklovan Parubi (mbiemri i dytë Filipi), njihet në zonë si person me çrregullime të personalitetit si dhe përdorues droge. Rreth orës 22:40 të së hënës ai vrau me breshëri kallashnikovi dy persona, Ajet Saiti 42 vjeç dhe Gecalin Kopshti 30 vjeç. Gjithçka nisi pas një konflikti banal në lokalin e ndodhur në kryqëzimin e fshatit, ku Parubi luante poker me 4 persona të tjerë, të cilët i la të plagosur. Ajet Saiti, pronari i lokalit, erdhi të ndërhynte sapo dëgjoi të shtënat, por u bë viktimë e 33-vjeçarit i cili e qëlloi për vdekje në hyrje të lokalit. Ndërkohë, 30-vjeçari po vinte në lokal pasi kishte peshkuar, për të takuar vëllain e tij, Vinçensin 22 vjeç, i cili mbeti i plagosur nga Parubi. Bashkë me të, të plagosur jashtë rrezikut për jetën janë edhe Ndok Marku 25 vjeç me të cilin dyshohet se autori ishte zënë gjatë lojës, Aleks Prendi 42 vjeç dhe kamarieri Kital Molla.


Pas ngjarjes së rëndë, drejtuesit e policisë së Shkodrës vlerësuan situatën menjëherë duke vënë të gjitha shërbimet në kërkim të autorit, ku pas një pune të pandërprerë u mundësua kapja e tij pa persona të tjerë të lënduar. Më herët, policia vuri në pranga bashkëpunëtorin e Parubit, i cili dyshohet se e ka larguar me makinë pas krimit. Para efektivëve, i arrestuari 30-vjeçari Marçel Sh ka rrëfyer se autori është shprehur “Do të qëlloj edhe mbi policinë” /Gazeta Express/
Arma e sekuestruar dhe momente nga aksioni i Policise



