Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, është duke vazhduar propagandën e tij kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka udhëtuar drejt Paraguait, në mënyrë që të kërkojë votën e këtij shteti kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
Siç shkruan “Tanjug”, transmeton lajmi.net, Daçiq, ka thënë se kjo vizitë e tij në Paraguai ishte e një rëndësie të madhe për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve dhe përsëriti se qëndrimi i këtij shteti për pavarësinë e Kosovës mbetet i pandryshuar, edhe pse siç tha ai, Paraguaji është nën presion për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
Daçiq tha se vizita në Paraguai ishte e një rëndësie të madhe pasi që është vizita e parë në historinë e marrëdhënieve tona dypalëshe.
“Paraguai është një vend që nuk e njeh Kosovën, por është nën presion të madh dhe në konferencën e fundit kanë votuar për pranimin e Kosovës në INTERPOL. Kjo është arsyeja pse ishte e nevojshme të rivendosnim marrëdhëniet tona”, tha Daçiq.
Sipas Daçiqit, Ministria e Punëve të Jashtme në mënyrë të qartë deklaroi se dyert e Paraguait për pavarësinë e Kosovës dhe të udhëheqjes politike janë të mbyllura dhe se nuk do të ndryshonte qëndrimin e saj, transmeton më tutje lajmi.net.
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë marrëdhënie miqësore, jo vetëm për shkak të Kosovës, por edhe për të përmirësuar marrëdhëniet tona në të gjitha segmentet”, tha Daçiq.
Paraguai herën e fundit kishte votuar pro anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL mirëpo, Daçiq ka vendosur se si ta “josh” këtë shtet për të votuar kundër në sesionin e ardhshëm.
Ai ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka nënshkruar marrëveshje për heqjen e vizave mbi pasaportat diplomatike, zyrtare dhe speciale.
Daçiq po ashtu theksoi se pas vizitave të jashtëzakonshme dhe shumë të dobishme në Argjentinë dhe Uruguai, pozita e Serbisë në Paraguai u forcua gjithashtu.
“Mund të themi se nuk do të ketë më raste siç ishte në takimin e fundit të INTERPOL-it”, përfundoi Daçiq në fund të vizitës në Paraguai. /Lajmi.net/





















