Aktuale

“Votimi i demarkacionit, tragjedi për Kosovën”

Kur ka mbetur edhe pak nga koha kur projektligji për demarkacionin me Malin e Zi të votohet në Kuvendin e Kosovës, dy partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë dalë me qëndrime përfundimtare për këtë marrëveshje.

Ata i bënë thirrje Qeverisë që të tërheq këtë projektligj dhe të mos e procedoj më tej. Njëherit, ata u bënë thirrje edhe deputetëve të Kosovës, pavarësisht cilit subjekt politik i takojnë, që të mos e votojnë këtë marrëveshje, e cila, siç thanë ata, është tragjedi për vendin.

I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë të mbajtur sot në selinë e AAK-së bashkë me Nisma për Kosovën, tha se Qeveria po insiston që projektligjin e gabuar ta forcoj dhe të detyroj parlamentin që ta votoj.

 

“Ky projektligj është version i gabuar, është gjetur gabim nga të gjithë njohësit e kësaj teme, është kundërshtuar intensivisht nga opozita nga ekspertët, nga komuniteti, nga qytetarët. Por për habinë e të gjithëve po vazhdon insistimi i qeverisë, një projektligj të tillë gabim të gabuar edhe me e forcua apo me detyrua  parlamentin që me e votu. Qeveria është duke bërë një gabim të madh, një gabim të rënd”, tha Haradinaj.

Por me tu dërguar në votim kjo Marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj shpreson që deputetët do ta rrëzojnë këtë version, rrëzim i cili do të krijonte një mundësi për zgjidhje politike.

Megjithatë, ai tha se nëse votimi do të ishte ‘pro’ kësaj marrëveshje atëherë kjo do ishte një tragjedi për Kosovën, dhe veç kësaj ai tha se situata në vend do të tensionohet.

 

“Besoj edhe shpresoj shumë që deputetët do ta rrëzojnë  këtë version. Nëse rrëzohet një version i tillë i ligjit pra krijohet një mundësi për zgjidhje politike. Nëse do të ishte votimi pro do të ishte tragjedi për Kosovën për shkak se do të filloj një krizë dhe do të tensionohet situata në vend. Bëjë  thirrje gjithë deputetëve, që të mos e bëjnë gabim në cilin do variant që të votojnë pro këtij versioni të gabuar”, ka theksuar Haradinaj.

Kurse, lideri i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se Qeveria e Kosovës ka treguar mungesë vullneti dhe përgjegjësie që ka për stabilitetin për zhvillimin dhe mbrojtjen e interesave të vendit.

Ai tha se Qeveria në vend që t’i shfrytëzoj këta muaj për të ndërtuar konsensus për zgjidhjen e kësaj teme, ajo vetëm se e ka krijuar një krizë politike më të madhe.

 

“Është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës të tërheq dhe të stopoj vetën nga procedimi i mëtutjeshëm i këtij projektligji… Ashiqare Qeveria po shihet që këtë përgjegjësi do në të ia hedh parlamentit të Kosovës …do doja që deputetët e Parlamentit të Kosovës të cilët vazhdimisht kanë qenë dhe në shumicën e rasteve kanë votuar edhe kundër vullnetit të tyre mos të lejojnë që të ngritin dorën për diçka të cilën së paku kanë dyshim se po gabojnë, Kjo çështje e thjeshtë  nuk është një ligj,  vota e tyre eshët një votë e cila përfundimisht përmbyll një çështje sipas tyre e cila çështje do të krijonte kriza dhe situata  jo të favorshme dhe të panevojshme për vendin tonë”, tha Limaj.

Ndërsa të pyetur se cilat do të jenë mjetet për parandalimin e demarkacionit, apo do mbetën vetëm thirrje, Haradinaj tha se në kohën kur ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës njerëzit janë deklaruar në mënyra të ndryshme, dhe edhe thirrja asaj kohe e ish-presidentit Ibrahim Rugova ka qenë që të mbrohet pragu i shtëpisë.

Ai madje tha se sot banorët e Llukës po mbrojnë pragun e staneve të tyre, e që për të është e çuditshme të bëhen krahasime në këtë kohë.

Haradinaj madje tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, janë e keqja e vendit.

 

“Dikur kur ishte lufta e UÇK njerëzit deklaroheshin në mënyra të ndryshme , dy thirrje ka qenë e presidentit Rugova me mbrojt pragun e shtëpisë, imagjinon sot në kohën e Isa Mustafës e Hashim Thaçit , banor të llukës shkojnë dhe mbrojnë pragun e staneve të veta. Është e çuditshme me bo krahasime në këtë kohë për këta dy njerëz janë e keqja e këtij vendi, i kanë sjellë shumë të këqija këtij vendi” tha Haradinaj.