VMRO-DPMNE-ja opozitare për sot pasdite në orën 17 ka paralajmëruar protesta të reja në qendrën e Shkupit, që i organizojnë një vit pas arrestimit të personave për incidentet e 27 prillit të vitit të kaluar, në Kuvend.
Për shkak të protestës, që do të fillojë nga sheshi “VMRO”, ndërsa do të mbarojë para ndërtesës së Qeverisë, është vendosur regjim i posaçëm i komunikacionit në qendër të Shkupit.
Pas seancës së Komitetit ekzekutiv javën e kaluar partia paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të organizojë protesta, me të cilat, siç kumtoi, do të pengohet rruga e pushtetit anti-nacional dhe kriminal.
Përmes protestës do të kërkojnë largimin e pushtetit, nga i cili qytetarët janë të revoltuar për shkak të “gjyqësorit të politizuar, proceseve politike, rasteve të shpikura, varfërisë, ekonomisë së dobët, arsimit të shkatërruar, bujqësisë në rënie, shëndetësisë së shkatërruar së cilës njerëzit nuk i besojnë, krimit në rrugë, korrupsionit në institucione”.
Pjesëmarrësit në protestë do të nisen nga sheshi “VMRO”, djathtas në rrugën “Dame Gruev”, drejt përgjatë rrugës “Vasil Glavinov”, drejt në bulevardin “VMRO”, majtas përgjatë bulevardit “Ilinden” deri para ndërtesës së Qeverisë.
Për shkak të regjimit të posaçëm të komunikacionit, Ministria e Punëve të Brendshme apelon te qytetarët për respektimin e urdhrave të cilat i jep policia.