Aktuale

Vjosa Osmani ka një pyetje për bllokuesit e koalicionit me Vetëvendosjen

Deputetja më e votuar e LDK-së dhe kandidatja e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se koalicioni mes tyre dhe Lëvizjes Vetëvendosje është bërë më 2017, atëherë kur ishte ndërmarrë iniciativa nga partitë në pushtet për ta zhbërë Gjykatën Speciale.

Përmes loogarisë së saj në rrjetin social Facebook, Osmani ka bërë për bllokuesit e zyrtarizimit të koaliciomit pyetjen që atëherë e kishte bërë ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie.

“Çfarë do ju duhet partia kur nuk do të ketë më Kosovë?”

Ky është postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Miqësitë që LDK-ja ndërtoi me botën demokratike janë ato që përcaktuan orientimin strategjik të vendit tonë: orientim pro-perendimor e euro-atlantik.

Para rreth dy vitesh, partitë në pushtet, ato të koalicionit PAN, filluan nismën për shfuqizimin e gjykatës speciale, e cila nga partnerët tanë u quajtë ‘thikë pas shpine’, ‘rreziku më i madh në Kosovën e pasluftës’, ‘shkatërrim i miqësive’, e ‘shkelje e orientimit euro-atlantik’.

Meqë miqtë tanë ndërkombëtarë dhe kërkesat e tyre injoroheshin nga Presidenti i vendit dhe partitë në pushtet, që të gjithë u drejtuan tek zyret e LDK-së. Sërish, ishte pikërisht LDK-ja, vendi ku do të mbrohej shtetësia, miqësitë dhe orientimi pro-perendimor i vendit. Por këtë nuk mund ta bënim vetë. Ishte vetëm një parti që i doli në krah përpjekjeve të LDK-së atë ditë: Lëvizja Vetëvendosje. Atë mbrëmje, për këdo që e kupton politikën drejtë, është ndërtuar koalicioni i shpresës. Atë ditë, është rikonfirmuar orientimi pro-perendimor dhe euro-atlantik i vendit tonë. Atë nuk e bëri LDK-ja vet, e as LVV-ja vetë…por e bënë LDK dhe LVV bashkë, me bekimin e miqve tanë ndërkombetarë.

Pyetja që shtrohet sot për kundërshtuesit, penguesit e bllokuesit e ndryshimit, në një kohë kur Kosova rrezikon të zbrazet e të shndërrohet në shtet të dështuar, është pikërisht e njëjtë me atë që Ambasadori i atëhershëm amerikan e bëri në zyret tona në orët e vona të mbrëmjes në prezencë të zyrtarëve të LDK e LVV në v.2017: ÇFARË DO JU DUHET PARTIA KUR NUK DO TË KETË MË KOSOVË?