Aktuale

Vjen reagimi i parë nga LDK ndaj Behgjet Pacollit pas daljes nga koalicioni

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas lajmit se Aleanca Kosova e Re, do të braktis koalicionin me këtë parti dhe Alternativën.

Në një prononcim të shkurtër për gazetën “Bota sot”, nënkryetari i LDK-së Agim Veliu, ka thënë se nuk është fundi i botës që partia e Pacollit ka dalë nga koalicioni.

I pyetur nëse LDK do të ndryshojë qëndrim lidhur me votimin për kandidatët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, Veliu ka mohuar një gjë të tillë.

“Nuk është fundi i botës dhe nuk kemi pse me u mbledh urgjent pse ka dalë Pacolli. Nuk ka qëndrim të LDK-së për këtë. Ne qëndrimet tona i kemi sqaruar dhe nuk po shoh asgjë të re”, ka deklaruar nënkryetari I LDK-së.

Pak minuta më parë, Pacolli ka mohuar se partia e tij ka arritur një marrëveshje me koalicionin PAN, por ka paralajmëruar për një takim më vonë me Ramush Haradinajn, kandidatin e PAN-it për kryeministër.

Pacolli ka thënë se e respekton tejmase kryeministrin Isa Mustafa.

“Kryeministri më i sinqertë që ka pas ndonjëherë Kosova është Isa Mustafa. Kemi punuar shumë me Mustafën dhe i kemi kryer të gjitha obligimet”, ka thënë Pacolli duke shtuar se nga sot rrugët e tyre janë ndarë.