Presidenti Hashim Thaçi po merr pjesë në Samitin e Davosit. Por, në bazë të fotografive të postuara nga vetë ai në Facebook, shihet se nuk ka arritur t’ia zgjatë dorën ndonjë lideri të rëndësishëm botërorë, përjashto një takim me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev. Në një fotografi ai duket se është takuar me studentë kureshtarë. Në plan të parë është takimi i tij me këshilltarin e tij, Bekim Çollakun. Mbase, pasdite do ta takojë edhe këshilltarin tjetër z. Ismail Syla.
Duket se para Hashim Thaçit tashmë gjenden dyer të hekurta të diplomacisë botërore.
Dhe, kjo ilustrohet më së miri me fotot që vetë ai ka postuar në Facebook nga Samiti i Davosit, ku ai po merr pjesë.
Edhe pse në qytetin malor zviceran po marrin pjesë liderët më të fuqishëm të globit, në fotot e postuar nga Thaçi kuptohet se ai ka takuar kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaevin, disa studentë kureshtarë dhe këshilltarin e tij, Bekim Çollakun.
“Me liderët e shteteve evropiane dhe ata të Ballkanit Perëndimor, në takimin e udhëhequr nga Presidenti i Forumit Ekonomik Botëror, Børge Brende, biseduam për temat aktuale që po ndikojnë në agjendat rajonale dhe më gjerë”, shkruan Thaçi.
“Ne biseduam edhe për rolin e Evropës në botë dhe për bashkëpunimin tonë të mundshëm për ta bërë një Evropë më të zhvilluar, më të fortë dhe më moderne”.
Hashim Thaçi po kalon një periudhë të vështirë të karrierës së tij politike, pasi që pak liderë të botës kanë dëshirë të dalin në fotografi me të, sidomos tash kur ai ka marrë iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale; institucion ky i krijuar pikërisht nga ai disa vite më parë.
Ambasadori amerikan në Kosovës, Greg Delawie, ka qenë shumë i ashpër në këtë pikë, duke paralajmëruar edhe izolimin e Kosovës nëse shfuqizohet Gjykata Speciale, e cila do të hetojë dhe gjykojë krimet e supozuara të luftës.