Aktuale

Vizitat shtëpiake rritin besimin midis institucioneve shëndetësore dhe familjes

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, deklaroi sot se vizitat mjekësore në shtëpi kontribuojnë gradualisht në ndërtimin e besimit në mes të institucioneve shëndetësore dhe familjeve.

Ai këto komente i bëri në takimin e fund-vitit për vizitat mjekësore në shtëpi për kujdesin për nëna dhe fëmijë, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë me përkrahje të Zyrës së UNICEF-it me fondet e Qeverisë së Luksemburgut.

Ministri Ismaili tha se ndryshimi pozitiv që po arrihet përmes vizitave në shtëpi po ndikon sidomos në përmirësimin e praktikave të ushqyerjes me qumësht të gjirit, parandalimin dhe trajtimin e depresionit pas lindjes si dhe familjet e vizituara janë të bindura për rëndësinë e vaksinimit.

“Nga informatat që kam marrë në vazhdimësi rreth këtij programi, mund t’ju them se në përgjithësi është shënuar një nivel i lartë i kënaqshmërisë me shërbimin e vizitave në shtëpi në mesin e familjeve që kanë përfituar nga ky shërbim. Ky është një tregues i rëndësishëm i cilësisë së ofrimit të shërbimit”, tha ai.

Duke ofruar mbështetje për Programin, Ministri Ismaili tha se vizitat në shtëpi gjatë vitit 2017 janë zgjeruar në nëntë komuna, nga shtatë në vitin 2016 dhe ky zgjerim do të vazhdojë në tërë Kosovën.

Në emër të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, mbështetje për programin e vizitave mjekësore në shtëpi ka shprehur Agron Gashi.

Ai tha se të dhënat shkencore dhe përvojat e ndryshme dëshmojnë se qasja ndaj kujdesit primar shëndetësor është mënyra më efikase, më ë mirë dhe më kost-efektive për të organizuar një sistem të mirë shëndetësor dhe për të mundësuar kujdes të vazhduar gjithëpërfshirës.

“Duke përkrahur praktikat si të ushqyerit me qumësht të gjirit, vaksinim me kohë dhe të plotë, ne kontribuojmë që fëmija të rritet dhe të zhvillohet më mirë në arritjen e potencialit të plotë të fëmijës”, tha Gashi.