Aktuale

Vizita e serbëve në Manastirin e Gjakovë pritet me protesta, arrestohen 4 gra

Vizita e serbëve të zhvendosur në Manastirin e Gjakovës ka ngjallë reagime tek qytetarët, të cilët në luftën e fundit kanë humbur familjarët e tyre. Ata përmes një proteste, kanë kundërshtuar një vizitë të tillë, duke e quajtur këtë një provokim që po iu bëhet atyre.

Gjatë protestës pati dhe arrestime të grave, të cilat kundërshtonin këtë vizitë. Katër gra të cilat kundërshtonin, janë shoqëruar në stacionin policor të qytetit.  Por Nysrete Vejsa Nuka, ishte e vendosur që ta kundërshtojë ardhjen e  serbëve. Ajo tha se ka të vrarë shumë anëtarë të familjes dhe një vizitë të tillë, e quan provokim.

 

“Policia jonë i largoi, për shkak se kriminelet vijnë vetëm me na ngrit gjakun. Ky është një provokim. Ne nuk mund me lejuar, derisa kriminelet që kanë bërë gjithë këto krime, vazhdojnë të jetojnë që 20 vite të lirë. Nuk mundemi. Ato i larguan me dhunë. Unë nuk largohem prej këtu. Nuk mundem për shkak të gjakut, që e kanë derdh këta për lirinë që këta e gëzojnë. Këtu e kam nënën, nusen e vëllait me pesë fëmijë. E kam motrën me tre fëmijë. Kam nusen e djalit të hallës me tri vajza. Në këtë masakër ka mbijetuar vetëm një djalë, Dren Caka, ai ka rrëfyer ngjarjen qysh i kanë ekzekutuar.  Këtu ka qenë krim mbi krim dhe janë të masakruar, të kallur të gjithë në shpi. Në një varr janë 20 veta. Kështu që unë iu lutem pushtetarëve, që kriminelet duhet t’i ngrisin fletë padi me i arrestuar. Që 20 vite këta jetojnë në litri. Plus vijnë këtu dhe i lejojnë. Ky është provokim”, tha ajo.

E major Gëzim Zogaj, tha se në stacion policor janë shoqëruar katër gra, të cilat nuk i janë bindur urdhrave të policisë. Ndërsa si incident përmendi dhe gjuajtjen me gurë nga disa persona,  të cilët kishin dëmtuar xhamin e autobusit, i cili barte 64 qytetarë serbë të zhvendosur, të cilët kishin ardhur në Manastirin e Gjakovës.

 

“Qysh dje kemi marrë informacionin që ka me u realizua kjo vizitë. Është fjala për të zhvendosurit serb. 64 qytetar serb të cilët kanë paralajmëruar vizitën në Manastirin në Gjakovë. Kanë marrë leje prej institucioneve të Kosovës. Ka pas disa informacione prej portaleve që ka me pas thirrje për protestë.  Ju keni qenë dëshmitar,  ka qenë një grup i vogël i qytetarëve që janë mbledh këtu. Deri tani  çdo gjë ka shkuar në rregull. Ka pasur një incident të vogël në hyrje të Gjakovës, në lagjen Dardania, ku dy persona kanë gjuajtur me gurë dhe kanë dëmtuar vetëm shtresën e parë të një xhami të autobusit. Vizita është duke u zhvilluar sipas agjendës. Katër gra janë shoqëruar në stacionin policor, për mos bindje ndaj urdhrave të policisë. Ne kemi qenë në implementim të operacionit, ato kanë kundërshtuar realizimin e kësaj vizite”, tha ai.

Vizita e serbëve realizohet çdo vit gjatë Krishtlindjeve ortodokse, por nënat e Gjakovës, të cilave u janë vra fëmijët dhe anëtarët tjerë të familjeve nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, kanë protestuar kundër vizitave vizite, raporton KosovaPress.