Viti i ri shkollor 2017-2018 ka filluar sot në të gjitha shkollat e Kosovës, por ky është edhe viti që shënon fillimin e zbatimit të kornizës së re të kurrikulës, për të cilën u urua të mos jetë një eksperiment i ri.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit shkollor.
Ministria Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë këtë vit shkollor ka bërë shpërndarjen e teksteve falas për nivelin nga klasa e parë deri në të pestën, kurse nga klasa e gjashtë deri në të nëntën do të përdoren tekstet e vitit të kaluar.
Këshilltari i ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Faton Fetahu, tha se sipas raportimeve të të gjitha drejtorive komunale për arsim sot ka filluar procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kosovës.
Ndërkohë që bëri të ditur se të gjitha përgatitjet sa i përket infrastrukturës, shpërndarjes së teksteve shkollore janë bërë nga ana e Ministrisë. Po ashtu, ai tha se në tërë Kosovën nga sot fillon zbatimi i kornizës së re të kurrikulës.
“Nga raportimet e të gjitha drejtorive komunale për arsim sot është konfirmuar se të gjitha komunat kanë bërë përgatitjet për fillimin e mbarë të këtij viti shkollor. Ministria e Arsimit në bashkëpunim me drejtoritë komunale për arsim është kujdesur që ky vit të filloj në kuptimin e përgatitjeve sa më të mira, duke filluar nga infrastruktura, objekteve infrastrukturore të shkollave dhe po ashtu edhe me shpërndarjen e teksteve shkollore në të gjitha shkollat. Ministria e Arsimit tashmë ka shpërndarë tekstet shkollore dhe sot nxënësit do të pajisen me tekstet shkollore”, tha ai.
E mësimi ka filluar edhe në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, ku sipas drejtoreshës së kësaj shkolle Remzije Berisha, të gjitha përgatitjet për fillim të vitit të ri shkollor janë kryer me kohë.
Ajo për KosovaPress bëri të ditur se furnizimi me tekste shkollore për nivelin nga klasa e parë deri në të pestën është bërë të hënën e kaluar.
Sipas saj, për klasat nga e gjashta deri në të nëntën nuk kanë marrë tekste të reja, por që do të përdorin tekstet e vitit të kaluar.
“Nuk kemi pasur tekste të reja këtë vit për klasat gjashtë deri në nëntë, kështu që jemi në shfrytëzim të teksteve të vjetra megjithëse po kemi pak telashe lidhur me librat, për shkak se një pjesë e tyre janë të plotësuara, një pjesë janë edhe të dëmtuara. Mirëpo, do të mundohemi kështu të gjejmë një zgjidhje për t’u kombinuar që asnjë nxënës mos të mbetet në shkollë pa tekste shkollore”, theksoi ajo.
Kurse, në shkollën fillore “Naim Frashëri”, këtë vit sipas drejtoreshës së shkollës Remzije Berisha për herë të parë do të ulën në bankat shkollore 96 nxënës.
Po ashtu, në këtë shkollë do të fillojë mësimin me kurrikulen e re, që sipas drejtoreshës janë përgatitur të gjithë mësimdhënësit për praktikimin e kësaj kurrikule.
Në anën tjetër, SBASHK-u edhe këtë vit shkollor do ta fillojë me kërkesa të njëjta. Dhënia e tri pagave suplementare, dhënia e tri pagave me rastin e pensionimit të mësimdhënësve, pagesa e shujtës prej 2 eurove, si dhe pagesa prej 70% e udhëtimit të mësimdhënësve udhëtarë në arsim, janë kërkesat e SBASHK-ut.
Në muajin qershor SBASHK-u kishte paralajmëruar se në mos përmbushje të këtyre kërkesave në shtator do të hyjnë në grevë, por arsye për mos fillim të grevës ka qenë dëshira që mos t’ua prishin gëzimin fëmijëve që fillojnë klasën e parë.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, bëri të ditur se në fund të javës së dytë të shtatorit do të mblidhet këshilli drejtues për të vendosur se a do të shkojnë në grevë.
“Në fund të javës së dytë të shtatorit do të mblidhet organi më i lart i SBASHK-ut që është këshilli drejtues dhe ne do të na vijnë raportet nga kryetarët, ata do të raportojnë se cila është gjendja në shkolla dhe cili është mesazhi i mësimdhënësve. SBASHK-u dhe unë si kryetar do të veprojmë vetëm në bazë të zërit të mësimdhënësve, nëse mësimdhënësit kërkojnë që ne të shkojmë me veprime sindikale ne jemi të obliguar nga vota e tyre, nga besimi i tyre që të shkojmë. Unë po them urojmë që këto dy javë së paku të ulemi të bisedojmë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje, SBASHK-u e dinë situatën në Kosovë, e dinë edhe gjendjen e buxheteve komunale, ne e dimë se ato buxhete nuk janë ku me ditë sa, por jemi të bindur se së paku për një pjesë të kërkesave mund të fillohet realizimi”, tha Jashari.
Kurse, sa i përket fillimit të zbatimit të kurrikulës së re, Jashari tha se për të pasur zbatim të plotë kjo kurrikulë, Ministria duhet ta trajtojë arsimin si prioritet.
“Uroj që të mos jetë ky edhe një provë e re, një eksperiment i ri, kurrikula e re nëse donë të zbatohet plotësisht dhe nëse donë të ketë arritje të plota, atëherë Ministria e Arsimit, por edhe Qeveria duhet të ndajë mjete dhe arsimin ta shpallë vërtetë si prioritet. E kam fjalën jo për paga dhe për kërkesa tona se në fund të fundit por që shkollat t’i furnizojë me mjete adekuate të punës”, theksoi ai.
Fillimi i vitit të ri shkollor në Kosovë fillon me 1 shtator, por që këtë vit është shtyrë deri më 4 shtator për shkak të festës së Kurban Bajramit./kp