Aktuale

Visar Ymeri refuzon pjesëmarrjen në takimin e Presidentit Thaçi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Viasr Ymeri ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nesër në ora 10:00 nga Presidenti Hashim Thaçi, me përfaqësuesit e partive politike, për të biseduar për reformën zgjedhore.

Në një shkrim të postuar në Facebook, Ymeri thotë se në kohën kur korrupsioni kronik i qeveritarëve të PDK e LDK në nivele qendrore e lokale është bërë publik edhe ndërkombëtarisht, nuk kemi kohë për reformë zgjedhore, nevojiten zgjedhje, transmeton KosovaPress.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim.

Lexojeni postimin e Ymerit:

Sot në zyrat e Lëvizjes ka mbërritur një ftesë nga Hashim Thaçi, i cili thotë se dëshiron të mbledhë partitë politike për një reformë zgjedhore.

Tash, në kohën kur korrupsioni kronik i qeveritarëve të PDK e LDK në nivele qendrore e lokale është bërë publik edhe ndërkombëtarisht nuk kemi kohë për reformë zgjedhore – nevojiten zgjedhje!

Tash kur institucionet e qeveria e Kosovës e kanë humbur legjitimitetin pas projekteve antikombëtare të kësaj qeverie, projekte që sollën tensionim të paparë mes qeverisë e popullit, nuk është koha për reforma por për zgjedhje!

Tash kur populli i Kosovës i varfëruar deri në skaj e gjithnjë e më i papunë prej privatizimeve të kësaj klike po merr rrugët e emigrimit si pasojë e faktit që qeveria PDK-LDK nuk ka ndërmarrë asnjë politikë në ndihmë të ekonomisë e punësimit, tash s’është koha për reforma, por vetëm për zgjedhje.

Zgjedhjet e reja, po të mbahen të ndershme, do të prodhonin legjitimitet për institucionet dhe mbi të gjitha do të sillnin mundësinë për ndryshim që aq shumë i duhet Kosovës.

Pra, e refuzoj këtë ftesë për reformë zgjedhore. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme. Në të mirë të vendit.