Viktimat e krimit ngadalë, por sigurt po depërtojnë në sistemin e të drejtave të njeriut, po bëhen objekt primar i të drejtës vendore, si dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës.
Kështu u tha në “Javën për të drejtat e viktimave të krimit”, e cila është organizuar nën patronazhin e Kryeprokurorit të Shtetit. Po ashtu, u bë e ditur se komisioni për kompensim të viktimave të krimit në muajin shtator ka trajtuar kërkesën e parë për kompensim dhe e njëjta është aprovuar konform kushteve të plotësuara sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Presidenti Hashim Thaçi tha se Republika e Kosovës në kuadër të legjislacionit të vet ka miratuar dispozita ligjore mjaft të avancuara që promovojnë dhe mbrojnë të drejtat e viktimave të krimit.
“Republika e Kosovës në kuadër të legjislacionit të vet ka miratuar dispozitat ligjore mjaftë të avancuara që promovojnë dhe mbrojnë edhe të drejtat e viktimave të krimit. Në këtë drejtim duhet cekur ligjin për kompensimin e viktimave të krimit dhe krijimin e mekanizmave përkatës që janë të nevojshëm për zbatimin e këtij ligji. Sot kur po shënojmë javën për të drejtat e viktimave të krimit jemi mbledhur këtu të tregojmë përkushtimin tonë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të viktimave të krimit. Përkushtimi ynë në mbrojtjen, promovimin dhe avancimin e të drejtave të viktimave të krimit nuk është vetëm gjatë kësaj jave, por duhet të jetë i përditshme, i përhershëm”, tha ai.
Presidenti u zotua se do të vazhdojnë angazhimin që Republika e Kosovës t’i promovojë, mbrojë dhe avancojë të drejtat e njeriut në përgjithësi.
Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, tha se Kosova është bërë lider në rajon me miratimin e ligjit për kompensimin e viktimave, themelimin e bordit drejtues dhe që këtë vit ka siguruar fondin e domosdoshëm për të filluar pagesën e kompensimit.
“Më inkurajon fakti që Kosova vazhdon ta ndërtojë një zyrë të fortë të mbrojtjes së viktimave, duke e mbushur plot me profesionistë dhe duke u siguruar atyre mjetet e shkathtësitë e duhura për t’iu ndihmuar atyre që kërkojnë ndihmë. Këta mbrojtës janë burim i mbështetjes dhe udhëzimit thelbësor që ndihmojnë viktimat e shumë krimeve, Cofshin ato të dhunës në familje, të trafikimit, të dhunimit, për të manovruar në sisteme të ndërlikuara dhe shpesh frustruese të drejtësisë. Kjo mbështetje shpesh herë është pjesë përbërëse e rimëkëmbjes së suksesshme të viktimës. Kosova gjithashtu është bërë lidere në rajon me miratimin e ligjit për kompensimin e viktimave, themelimin e bordit drejtues dhe siç e dëgjuat, këtë vit madje ka siguruar fondin e domosdoshëm për të filluar pagesën e kompensimit. Së fundi, komisioni është takuar për herë të parë për shqyrtimin e një aplikacioni dhe së fundi morri vendim pà «r të kompensuar një familje të dëmtuar”, tha ai.
Ndërsa, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se si kryeprokuror i shtetit i siguron të gjithë qytetarët e Kosovës që do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që viktimat e krimit të trajtohen me respekt dhe dinjitet. Ai për këtë tha se kanë krijuar infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe humane.
“Është emëruar komisioni për kompensimin e viktimave në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe janë ndarë mjetet buxhetore dhe besoj se së shpejti do të kemi edhe rastet e para që do të përfitojnë sipas ligjit për kompensimin e viktimave. Me plot të drejtë mund të them se viktimat e krimit ngadalë, por sigurt po depërtojnë në sistemin e të drejtave të njeriut, po bëhen objekt primar i të drejtës vendore si dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet përkatëse të republikës së Kosovës. Dua të ju përkujtoj se viktimat e krimit janë një kategori e cila duhet të ketë mbrojtje dhe përkrahje të nevojshme nga zyra për mbrojtjen dhe ndihmën e viktimave e cila është duke treguar gatishmëri dhe përkushtim të nevojshëm për të lehtësuar paraqitjen e kërkesave për kompensim, por edhe për ti ndihmuar viktimat dhe përgatitur ata për të bërë një jetë normale në frymën e lirisë, paqes dhe mirëkuptimit”, th a Lumezi.
Kryeprokurori i Shtetit tha se mbrojtja e të drejtave të viktimave nuk mund të arrihet nga një institucion i vetëm, por në këtë mision duhet të kontribuojnë të gjitha institucionet.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se duke shënuar javën për të drejtat e viktimave të krimit po e dëshmojnë përkushtimin shtetëror për të dalë në përkrahje të viktimave të krimit. Ai tha se trajtimi adekuat i viktimave të krimit do të jetë prioritet i kyç i punës së tij si ministër i Drejtësisë.
“Është jetike jo vetëm të luftojmë dhe të parandalojmë krimin, por të ofrojmë përkrahje dhe mbrojtje të të gjithë personave që bien viktimë e krimit në Republikën e Kosovës. Në dekadën e fundit institucionet e Republikës sonë i kanë dhënë prioritet të veçantë mbështetjes së viktimave të krimit dhe kanë ndërmarrë masa për përmbushjen e nevojave të tyre. Për mua si ministër i Drejtësisë trajtimi adekuat i kësaj kategorie të cenueshme të shoqërisë sonë reflekton integritetin moral të shoqërisë sonë dhe do të jetë prioritet kyç i punës sime, për këtë zotohem sot para jush. Para së gjithash viktimat e krimit do të gëzojnë trajtim të veçantë dhe të respektueshëm, të mbrohen nga të akuzuarit apo të dyshuarit, të ju ofrohet mbështetje fizike dhe psikologjike dhe të gjitha format tjera të domosdoshme, të kenë qasje të plotë në drejtësi dhe të kenë të drejtën e kompensimit”, tha ai.
Java për të drejtat e viktimave të krimit, ka filluar sot dhe do të zgjasë dy ditë dhe që këtë vit mbush tetë vite të organizimit./KosovaPress