Në kompleksin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës sot është mbajtur ceremonia e vënies së gurthemelit të Klinikës së re Emergjente, projekt i cili arrin vlerën e 8 milionë eurosh dhe pritet të përfundojnë brenda tri viteve.
Pas tri viteve, në këtë Klinikë do të ofrohen shërbime shëndetësore të nivelit evropian për të gjithë pacientët, të cilët do të kërkojnë trajtim shëndetësor.
Ndërtimi i kësaj klinike është konsideruar si domosdoshmëri duke pasur parasysh numrin e madh të pacientëve që kërkojnë trajtim në Klinikën Emergjente, ku vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, shërbim emergjent në këtë klinikë kanë marrë mbi 39 mijë pacientë.
Në ceremoninë e vënies së gurthemelit i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se ky projekt, vlera e të cilit arrin në 8 milionë euro, është i projektuar në atë mënyrë që të plotësojë të gjitha nevojat e qytetarëve.
Mustafa më tej tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të krijojë infrastrukturë më të mirë, jo vetëm të objekteve, por edhe të pozitës së punonjësve të shëndetësisë.
Ai bëri të ditur se ky projekt, për të cilin tha se do të ofrojë shërbime të nivelit shëndetësor evropian, pritet të përfundojë brenda tri viteve.
“Sot ne po fillojmë, me të vërtet po e shënojmë në mënyrë simbolike fillimin e punimeve ne këtë Klinikë Emergjente të tre, e cila është e kapaciteteve të mëdha, e cila është e projektuar në mënyrë moderne dhe do të plotësojë nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Është investim i madh, mbi 8 milionë euro, që planifikohet të përfundohet për tri viteve dhe është një shpresë e madhe së qytetarëve të Kosovës do tu ofrohen shërbime cilësore dhe shërbime të nivelit shëndetësor evropian. Unë dua t’ju urojë sot për këtë investim të gjithë juve që të shpreh edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që shëndetit të qytetarëve t’u japin prioritetin që e meriton, është prioritet i lartë dhe po ashtu në të ardhmen të punojmë bashkërisht që të përmirësojmë infrastrukturën jo vetëm të objekteve por edhe pozitën e punonjësve të shëndetësisë dhe pozitën shëndetà «sore të qytetarëve tanë”, tha Mustafa.
Se kjo qendër emergjente do të jetë moderne dhe do të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët e thotë edhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili bëri të ditur se së bashku me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale janë duke punuar për finalizimin e një ligji për emergjencën.
Rrahmani tha se kjo qendër do të plotësojë deficitin infrastrukturor që ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
“Është një ditë e veçantë për neve sepse pas një pune të gjatë procedurale, ne sot solemnisht po vëmë gurthemelin e një qendre shumë moderne të Emergjencës. Kështu është quajtur, por këto shërbime do të jepen nga shumë lëmi, të cilat do të plotësojnë deficitin e sotëm infrastrukturor që ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Zhvillimi i emergjencës dhe shërbimeve emergjente është domosdoshmëri dhe mu për këtë së bashku edhe me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale po punojmë për finalizimin e një ligji për emergjencë, i cili ka pësuar disa ndryshime thelbësore dhe do të funksionojë për zhvillimin e shërbimit emergjent paraspitalor. Natyrisht kjo nuk mund të bëhet pa përkrahjen e madhe të Qeverisë dhe kryeministri Mustafa, por edhe të të tjerëve sepse kemi të bëjmë me ndryshime thelbësore në zhvillimin e shërbimeve emergjente”, tha Rrahmani.
Vetëm gjatë gjashtëmujorit të këtij viti në shërbimin emergjent të Kosovës, shërbim shëndetësor kanë marrë 39 mijë e 456 pacientë. Ndërsa, në tërë shërbimin spitalor klinik, për gjashtë muaj janë ofruar mbi tri milionë shërbime për më shumë se 83 mijë pacientë.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj tha se pavarësisht hapësirës së kufizuar që ka pasur shërbimi emergjent, kanë arritur që të ofrojnë një numër të madh të shërbimeve shëndetësore dhe janë shpëtuar mijëra jetë pacientësh.
Sipas tij, ndërtimi i objektit të ri të shërbimit emergjent, pritet të ketë sipërfaqe dhe hapësira moderne, të cilat do të krijojnë lehtësi për proceset shëndetësore.
“Ndërtimi i objektit të ri të shërbimit emergjent me sipërfaqe dhe hapësira moderne do të krijojë lehtësi për proceset shëndetësore që i ofrojnë shërbime shëndetësore, por në të njëjtën kohë edhe për pacientët që do të kenë mundësi të marrin shërbim më kualitativ meqë investimi në objektin e ri parasheh edhe aparaturë moderne mjekësore dhe trajnim të stafit. Më lejon se t’ju informoj se përkundër faktit se hapësirat aktuale të shërbimit emergjent janë të kufizuara aktualisht me vetëm 507 metra katrorë, ku janë ofruar një numër i madh i shërbimeve shëndetësore, janë shpëtuar mijëra jetë pacientësh. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në shërbimin emergjent, shërbim shëndetësor kanë marrë 39 mijë e 469 pacientë, përfshirë operacionet, vizitat indonestike, ortopedike, kirurgjike, reaminimin dhe të tjera, ndërkohë në tërë shërbimin spitalor klinik, për gjashtë mujorin e këtij viti janë ofruar 3 milionë e 447 mijë e 210 shërbime me 83 mijë e 363 pacientë të shtrirë dhe mbi 20 mijë operacione, 20 mijë e 473 operacione të ndryshme”, tha Gjocaj.
Ky projekt është financuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe pritet të përfundojë brenda tri viteve./KP