Aktuale

Vetëvendosje proteston kundër ndaljes së energjisë elektrike

Lëvizja Vetëvendosje në shenjë pakënaqësie me reduktimet e shpeshtuara të energjisë elektrike, sot ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të KEDS-it.

Aktivistët që mbanin në duar llambat dhe qirinj, u nisën nga zyra kryesore e VV-së, për të vazhduar këmbë deri tek objekti i KEDS-it, ndezën llambat dhe qirinjtë.

Aktivistja Arta Berisha e përshkroi situatën e rëndë të qytetarëve, si pasojë e mungesës së energjisë. “Në këto ditë të ftohta dimri, qytetarët anekënd komunave të Kosovës po ballafaqohen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, duke ua vështirësuar kështu jetën e qytetarëve”, tha ajo.

Ajo pohoi se, kur sot në lagjet e Prishtinës, që është kryeqytet, dhe vetëm 3 minuta larg objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës ka ndërprerje të energjisë, mund ta marrë me mend secili prej nesh se çfarë reduktime ka nëpër fshatrat e komunave të tjera.

Berisha pohoi se qytetarët edhe pse paguajnë më shumë sesa që kushtojnë shërbimet e marra, KEDS vazhdon në avazin e njëjtë që planin e mirëmbajtjes të planifikuar për shpërndarjen e energjisë ta aplikojë me reduktime të paarsyeshme.

“Ndonëse, mungesa energjisë është e shprehur kudo në Kosovë, vetëm në muajin e fundit është raportuar që komunat që kanë pasur më shumë ndërprerje të energjisë elektrike kanë prekur Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn dhe Drenasin me fshatrat e tyre përreth”, ka pohuar ajo.

Vetëvendosje i ka bërë thirrje urgjente që KEDS-it dhe institucioneve përgjegjëse, që të zbatojnë masat dhe përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve, dhe ta trajtojnë këtë gjendje të krijuar me seriozitet, ashtu që sa më shpejt qytetarëve t’iu sigurohet energjia elektrike në shtëpitë e tyre.