Lista Serbe ende nuk është deklaruar se a do ta mbështesë zgjedhjen e Haradinajt për kryeministër të Kosovës.
Mediat serbe, duke cituar burime pranë zyrtarëve të lartë të qeverisë serbe, kanë shkruar se vetëm postet ministrore nuk do të jenë të mjaftueshme që Lista Serbe ta përkrahë Qeverinë Haradinaj.
E kërkesa reale duket të jetë formimi i Asociacionit të Komunave serbe.
Në lidhje me këtë çështje, për Periskopin ka folur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
Ajo ka thënë se është e qartë që koalicioni PANA ka bërë pazare të mëdha për të marrë përkrahjen e Listës Serbe.
“Duket sheshit që PANA ka bërë pazare të mëdha në dëm të Kosovës në mënyrë që të marrë përkrahjen e Listës Serbe, rrjedhimisht të Vuçiqit. Pra, përveç posteve për Listën Serbe, Vuçiqit i janë premtuar edhe kushte të tjera që janë në kundërshtim me interesat e Republikës dhe qytetarëve e në favor të apetiteve të Serbisë. Në këtë drejtim është edhe “Zajednica” të cilën e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Haxhiu.
Por Haxhiu ka thënë se ky koalicion po harron që e ka përballë një subjekt si Vetëvendosja, e cila sipas saj, do ta pengoj jetësimin e këtij projekti.
“Koalicioni i pazareve i cili po qëndron në këmbë përkohësisht për shkak të pazareve me Vuçiqin, po harron që ka përballë një subjekt politik si Vetëvendosje. Ne do të jemi aty, në Kuvend, kur të jetë nevoja edhe jashtë tij, dhe do të pengojmë çfarëdo përpjekje për jetësimin e një projekti të vdekur siç është ‘Zajednica’”, ka thënë Haxhiu për Periskopin.