Aktuale

Vetëvendosje nuk ka besim te drejtësia, kërkon mobilizim shoqëror

Depuetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu dhe asambleisti Ylli Hoxha në një konferencë për media bënë thirrje për mobilizim shoqëror që edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci dhe Kryeparlamentarit Kadri Veseli të dorëhiqen.

Por ata shprehën edhe mosbesim edhe ndaj Kryeprokurorit Aleksander Lumezit, duke bërë thirrje se vetëm mobilizimi shoqëror do të sjellë një sistem që sipas tyre do të jetë i pavarur.

“Këta njerëz nuk hiqen vetëm përmes sistemit të drejtësisë për shkak se është dëshmuar se këta kanë zgjedhur prokurorë,gjykatës kudo që kanë pasur mundësi. Këta njerëz hiqen vetëm me mobilizim qytetar. Për t’ia këputur rrënjët këtyre duhet mobilizim që ti heqim këta njerëz në institucionet ku janë.” tha Albulena Haxhiu.

Më tej ajo pretendoi se pas mobilizimit do të kishte një hetim të pavarur, duke theksuar “Më pas një qeverisje e mirë, me një sistem të drejtësisë të transformuar e të pavarur do të mund ti hetonte këta kriminelë”.