Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar edhe sot, por edhe kësaj radhe pa praninë e koalicionit fitues të zgjedhjeve, PDK-AAK-Nisma (PAN) dhe deputetëve të minoriteteve.
Në mungesë të koalicionit PAN, i cili më herët kishte bërë të ditur se nuk do të merrte pjesë në këtë seancë, deputetët e Vetëvendosjes dhe koalicionit LDK-AKR-Alternativa (LAA) zhvilluan debat për të dhënë ide se si të dilet nga situata, por edhe për të drejtuar akuza të rënda ndaj PAN-it, ndonëse një debat i tillë nuk është i paraparë me rregullore të Kuvendit të Kosovës në seancë konstituive.
Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, akuzoi koalicionin PAN për bllokim të krijimit të institucioneve, duke thënë se ata po punojnë vetëm për veten e tyre, por jo edhe për interesin e qytetarëve.
“Është shumë e thjeshtë, nuk i kanë numrat as për ta zgjedhur kryeparlamentarin e as për ta themeluar qeverinë e ardhshme. Po pse nuk i kanë numrat ata. Sepse numrat e tyre në dorë i kanë qytetarët e Kosovës, populli është zgjuar dhe do t’i zvogëlojë pa ndalë këto forca të mbrapshta që janë kundër qytetarëve e të cilat punojnë vetëm për të mirën e tarafit dhe jo për të mirën e shtetit”, tha Konjufca.
Akuza ndaj koalicionit PAN për bllokim të themelimit të institucioneve pati edhe shefi i Grupit parlamentar të koalicionit LAA, Avdullah Hoti. Ai tha se janë duke punuar brenda grupit të tyre parlamentar për sqarimin e bazës juridike për dy pyetje që duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“E para, që me mos pjesëmarrjen në seance dhe me mos prezantim të kandidatit për kryetar të Kuvendit, konsumohet e drejta kushtetuese për të pasur kryetarin e kuvendit, dhe e dyta çka ndodh në rast kur një kandidat që prezantohet për kryetar Kuvendi nuk merr mbështetjen e nevojshme? Këto janë dy pyetje qe duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Grupi jonë parlamentar është duke punuar në organizmin e një debati tryeze të partive politike të LDK-së, AKR-së dhe Alternativës brenda grupit tonë parlamentar. Do të ftojmë VV dhe të gjithë minoritetet që të ulemi bashkë sa më shpejt që është e mundshme për të sqaruar bazën juridike për këto dy pyetje dhe për t’u dakorduar me aq sa është e mundshme për ndërmarrjen e hapave konkret drejt zhbllokimit të themelimit të institucioneve të vendit”, ka thënë Hoti.
Por, debati devijoj nga synimi që kishte për të dhënë ide dhe propozime se si të dilet nga kriza e krijuar, në akuza të rënda. Deputeti i VV-së Frashër Krasniqi, i cili është i dyshuar për sulm mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës vitin që shkoi, tha se është shumë interesant që të shkojë në Kuvend dhe të shohë, siç e quajti ai, koalicionin e krimit, që mbahen si të guximshëm dhe komandantët nuk guxojnë të shkojnë në Kuvend të jenë të pranishme në seancë.
Sipas tij, është interesant se si “po fshihet” Ramush Haradinaj, i cili thoshte se merret vetëm me sporte të rënda. Derisa, i quajti kriminel ordiner Ukë Rugovën, të cilit tha se “po i bie” në gjunjë Ramush Haradinaj.
“Krijimin e qeverisë po shpresojnë ta bëjnë në dy shtylla, në Listën Serbe, më saktësisht në kriminelin Milan Radojiqiq, që është zëvendës i Veselinoviqit që ka kryer dhe vazhdon të kryejë krime në veri, që kërcënon me vdekje policët e Kosovës dhe që po takohet Haradinaj vazhdimisht për ta marrë mbështetjen e Listës Serbe. Dhe shtylla e dytë pritet me qenë Ukë Rugova, një kriminel tjetër ordiner për të bëmat e tij e dimë krejt. Pra, po shihet krahu i luftës sa trima e të guximshëm janë këta. Për ta ruajtur krimin e tyre edhe një dy vjet maksimumi janë në gjendje t’i bien në gjunjë Listës Serbe, janë në gjendje t’i bien në gjunjë Ukë Rugovës, e ne e dimë qa kanë fol tërë jetën për Ibrahim Rugovën”, tha Krasniqi.
Por në mbrojtje të komandantëve doli deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri, i cili kërkoi nga kolegu i tij që të mos i fyejë gjithë komandantët.
“Dua t’i drejtohem kolegut Krasniqi që komandantët kanë gjithmonë guxim e dini ju mirë dhe e dimë gjithë ne këtu. Dhe po mos të ishin ata komandantë, as Adem Mikullovci nuk do ta kishim përjetuar prapë gjuhën shqipe ta flas këtu në Parlament kur dikur e ka dërguar Serbia. Unë them mos i përfshij gjithë njerëzit, sepse ka njerëz të ndershëm edhe prej komandantëve. Ata që janë nëpër gjykata një ditë do të ndodhë të gjykohen, por këtu mendoj që duhet tjetër gjuhë”, tha Tahiri.
Ndaj akuzave të deputetit Krasniqi, reagoi edhe deputeti i LDK-së, Naser Rugova, i cili tha se po e marrin rolin e prokurorit ata që janë në bankën e të akuzuarve, duke iu referuar Krasniqit, i cili po akuzohet për terrorizëm.
“Së dyti, kjo foltore mos të tentohet të shndërrohet në një foltore ku dikush e merr rolin e prokurorit e është në bankën e të akuzuarit e dikush shet moral për drejtësi kur ne ja dimë njëri tjetrit letrat. Në këtë kuptim duhet të jemi të kujdesshëm duhet të sillemi konform edhe të një bontoni të zgjedhurit të popullit. Ne jemi organ legjislativ i vendit. Përderisa gjyqësori apo edhe instancat tjera të gjyqësorit nuk marrin vendime për dikën sepse ne mund të dhamë kualifikime jo bash të hijshme për njëri tjetrin. Në kuptimin më pozitiv të fjalës më unifikues, i kemi lodh qytetarët, por edhe miqtë tanë ndërkombëtar, edhe opinionin publik me maratona boshe në këtë foltore”, tha Rugova.
Deputeti i LDK-së Arben Gashi dha një propozim personal, duke kërkuar që Vetëvendosje, koalicioni LAA dhe minoritetet të propozojnë kandidatët e tyre dhe t’i zgjedhin nënkryetarët nga subjektet e tyre që u takojnë me Kushtetutë dhe të krijojnë një momentum të ri.
Por, kryesuesi i seancës Adem Mikullovci, tha se kjo nuk mund të bëhet, pasi gjithë nënkryetarët zgjedhën në pako, pos atyre të minoriteteve.
Në fund të debatit, Mikullovci tha se iu ka mbush mendja edhe më shumë që të shkojë në takim konsultativ të mërkurën me koalicionin PAN.
“Në bazë të gjithë këtyre konsultimeve që dëgjuam them të drejtën edhe me tepër m’u mbush mendja që unë do të shkoj në atë takim me PAN-in të mërkurën në orën 10.00 dhe me këtë rast i ftoj përfaqësuesit e partisë Vetëvendosje dhe koalicionin LAA që të jenë edhe ata në atë takim, që të jenë me shumë dëshmitarë se çfarë po flitet atje. Po, do ta kem vetëm një kërkesë dhe rend dite, kur janë të gatshëm të vijnë në seancë dhe ta propozojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit”, tha Mikullovci.
Për këtë takim konsultativ, koalicioni LAA do të marrë vendim në ditët e ardhshme nëse do të marrë pjesë ose jo, derisa Vetëvendosja ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë. /kp





















