Aktuale

Vetëvendosja përkrah protestën për Ramush Haradinajn

Lëvizja “Vetëvendosje” mbështet protestën e thirrur nga AAK-ja në mbështetje të Ramush Haradinajt.

Dikur pjesë e “opozitës së bashkuar”, por tani të ndarë, “Vetëvendosja” i del në mbrojtje Haradinajt
Përmes një shkrimi, kjo parti thotë se vazhdimi i masës që e mban të izoluar Ramush Haradinajn, nuk është cenim vetëm i personit të tij, por sulm ndaj vetë luftës çlirimtare, duke shtuar se kjo bëhet edhe më serioze pasi kjo po bëhet nga fletarrestet e porositura në Serbi.

“Për këtë arsye, Lëvizja Vetëvendosje! përkrah protestën e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në mbështetje të Ramush Haradinajt”, thotë VV.

Ata, gjithashtu, ftojnë të gjithë qytetarët që e konsiderojnë të padrejtë këtë proces që mospajtimet e tyre t’i manifestojnë në protestën e ditës së shtunë, më 4 mars 2017, nga ora 13:00 në Prishtinë.

“Haradinaj ka qenë pjesë e luftës çlirimtare kundër shovinizmit gjenocidal të Serbisë në Kosovë. Fletëarrestet nga Serbia duhet të anulohen për të gjithë ushtarët e luftës çlirimtare”, shkruan “Vetëvendosja”.