Ka filluar kuvendi i katërt zgjedhor i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, ku pritet të zgjedhën drejtuesit e rinj, të cilëve iu kërkua që në muajin e parë të punës, të fillojnë me përgaditjen e ligjit të UÇK-së, në të cilin do të duhej të parashihej që çdokush që flet kundër UÇK-së pa fakte të dënohej.
Veteranëve që në fillim të këtij Kuvendi, iu doli problem me fotografinë e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Fotografi e vendosur në murë u rrëzua, duke iu thyer edhe gjami, megjithatë ata gjeten një zgjidhje tjetër. Vendosën atë para tavolinës kryesore.
Pas kësaj, ushtruesi i detyrës së organizatës së veteranëve të UÇK-së, Smajl Elezaj iu drejtuar të pranishmëve, duke thënë se veteranët duhet gjithmonë të jenë ushtarë të atdheut dhe frymën patriotike ta lënë trashëgim për brezin e ri.
‘’Të bëhemi edhe ne një faktor i fuqishëm tani siç ishim bashkë në luftë, që sfidat e radhës t’i menaxhojmë dhe t’i tejkalojmë sa ma lehtë, të bashkuar përveç se do e rregullojmë gjendjen tonë si shoqëri, do të kontribuojmë edhe në organizimin e aspiratave tona kombëtare që të jemi si komb i fuqishëm, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Kuvendi i sotëm zgjedhorë i organizatës ka rëndësi të posaçme për procese që do vijnë ….. mos harroni edhe pse jeni 150 delegatë, ju përfaqësoni mira bashkëluftëtarë që sot nuk janë më ne”, ka thënë Elezi.
Kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari fillimisht u ankua në përfaqësuesit e institucioneve, duke thënë se përkundër ftesës që kanë pasur, ata nuk iu kanë përgjigjur këtij Kuvendi.
“Unë mendoj që pretendentët të cilët janë sot që të vendosin në krye të organizatës së veteranëve nuk e marrin këtë si privilegj por si përgjegjësi, sepse duke e marrë si përgjegjës kontribuojnë mjaftueshëm për t’i avancuar, për t’i mbrojtur vlerat e luftës së UÇK-së dhe jo vetëm vlerat e UÇK-së, por të gjitha vlerat kombëtare. Besojë që do të vazhdojë në mënyrë shumë të sinqertë në interesin e përgjithshëm, në interesin madhor, në mbrojtjen e kategorive të dala nga lufta, bashkëpunimi nuk ka munguar as nuk do të mungojë”, tha ai.
Ish-komandanti i UÇK-së, në Zonën e Dukagjinit dhe ish-anëtar i Komisioni për verifikimin e veteranëve të UÇK-së, Shkumbin Demaliaj ka thënë se drejtuesit e ri të kësaj organizate do të duhej që në muajin e parë të punojnë për ligjin e UÇK-së, në të cilin do të duhej të parashihej që çdokush që flet kundër UÇK-së pa fakte të dënohej.
‘’Askush nuk do të ketë mundësi as nuk do të duhet të ketë mundësi të flasë në emër të UÇK-së, nëse dikush dëshiron përfitime politike janë zyret ku mund të shkojnë. Kanë mashtruar me 170 euro pension, unë them se duhet t’i heqim ato pensione sepse nuk kemi luftuar për ato pensione, por të njihet statusi dhe kontributi të luftëtarëve që kanë ndihmuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Unë mendoj se kjo kryesi që do të zgjidhet, pavarësisht se kush vjen në shprehje do të punojë qysh muajin e parë që ta bëjë ligjin për UÇK-në. Ligji i UÇK-së ta ketë edhe ligjin e ndëshkimit për ata të cilët flasin kundër UÇK-së”, tha ai.
Kuvendin e kanë përshëndetur edhe ish drejtuesit e UÇK-së nëpër Zonat Operative, Haxhi Shala dhe Shefki Abdullahu.
Kuvendi po vazhdon me dyer të mbyllura, ku pritet të zgjidhet udhëheqja e re e kësaj Organizatës së Veteranëve të UÇK-së./KP